Një tjetër skandal ka përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi. Ish drejtoresha e mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara, Shilda Hasanaj ka denoncuar drejtorin për shkelje themeltare e të drejtave të njeriut dhe fyerje ndaj punonjësve.
Hasanaj, e punësuar për 23 vite në Tatime tashmë e shkarkuar prej tetorit të vitit të shkuar, i ka drejtuar një shkresë zyrtare komisionit parlamentar të ligjeve për ngritje n e një komisioni hetimor për abuzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi.
Ajo tregon detaje të frikshme në shkelje me dy këmbë të ligjit, duke iu bërë presion psikologjik punonjësve për të kryer veprime anti-ligjore.
Vendim i menjëhershëm i shkarkimit nga puna jepet në formë presioni dhe kërcënimi për këdo që nuk vë në zbatim fjalën e shefit. Madje ajo shton se çdo punonjës që nuk pranon urdhrat, thirret në zyrë dhe kërcënohet me shkarkim të menjëhershëm nga puna.
Në ankesën zonjës Hasanaj thuhet se nga drejtori i investigimit të Brendshëm Antikorupsion Klodian Mema, i janë kërkuar udhëzime se si mund të sulmohej drejtorja e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Vjola Tanto, edhe pse ishte shtatzënë dhe e aftë profesionalisht. Ai i ka paraqitur një letër gjoja anonime, por që në fakt ishte e shkruar në zyrat e administratës tatimore.
Më tej në shkresën drejtuar Komisionit të Ligjeve thuhet se Drejtori i Përgjithshëm, Ceno Klosi, ka mashtruar lidhur me moskryerjen e inspektimeve në rajone nga ana e Shilda Hasanajt, ndërkohe që projekt raportet ishin firmosur nga vetë ai. Raportet e inspektimit janë fshehur ose zhdukur pasi vartësit e Klosit nuk kanë pranuar t’i marrin në dorëzim me firmë dhe në zyrën e protokollit nuk lejohet të protokollohen në kohë shkresat sipas ligjit se kanë frikë se mos lënë gjurmë.
Në dëshminë e punonjëses së larguar nga puna thuhet se Ilir Kurti një tjetër zyrtar i afërt me Ceno Klosin dhe përgjegjës në burimet njerëzore, i ka bërë presion asaj në mënyrë të hapur e të paarsyeshme për të ndryshuar performancën nga vlerësim “mirë “ në vlerësim “Jo kënaqshëm” për znj.Tanto.
Po ashtu në dëshmi hidhet drite mbi shkeljet që bëhen në protokollimin e shkresave. Kështu shkresa nr.13114 datë 29.07.2022 për vlerësimin e punës për Shilda Hasanaj, rezulton jo vetëm të jetë dorëzuar 6 muaj e gjysmë me vonesë por edhe të jetë plotësuar me vonesë dhe mban një datë të falsifikuar. Pas këtyre hapave ka nisur procedimi disiplinor që ka përfunduar me largimin e Shilda Hasanajt nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Duke shpërdoruar detyrën kryetari i komisionit disiplinor është vetë zgjedhur Ceno Klosi.
Paracaktimi i vendimit është zbuluar pasi një nëpunëse e Tatimeve thuajse 10 ditë para shpalljes së tij, pa dashje i ka nisur Hasanajt në e-mail draft vendimin ku ishte vendosur largimi i saj nga Shërbimi Civil.
Por çudia vazhdon kur në vendim nuk pasqyrohet asnjë provë nga më shumë se 600 fletët e dorëzuara nga Shilda Hasanaj nëpërmjet protokollit, gjë e cila përbën shpërdorim të pastër detyre, fshehje dhe zhdukje e provave. Vendimi përfundimtar ishte firmosur edhe nga Drejtor i Përgjithshëm Ceno Klosi pa qenë asnjë sekondë i pranishëm në seancat e Komisionit Disiplinor. Këto fakte janë vetëm maja e ajsbergut për degradimin e tatimeve nën drejtimin e Ceno Klosi, dhe për këtë arsye ish-drejtorja e mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara Shilda Hasanaj, i kërkon Komisionit Parlamentar të ligjeve përmes një ankese zyrtare ngritjen e një komisioni hetimor për të hedhur dritë mbi shkeljet e panumërta të Ceno Klosit dhe drejtuesve të afërt me të në Tatime.