Në “Lojën e Memories”, të organizuar brenda shtëpisë së “BBVA”, këngëtarja Valbona Mema rrëfeu historinë e jetës së saj, duke treguar për brengat dhe vështirësitë me të cilat është përballur.
Ajo u ndal te njohja me bashkëshortin e saj të ndjerë dhe tregoi se sapo kishte mbaruar shkollën e mesme, kur mori pjesë në një festival dhe mes emocioneve të shumta që kishte për performancën e saj në skenë, pa për herë të parë dashurinë e jetës.
“Në Pallatin e Kulturës jam njohur me dashurinë e jetës sime. Kam qenë duke konkurruar dhe kisha ulur kokën, kur shoh dy këmbë aty dhe unë e kisha marrë çmimin dhe përsëri rrija dhe dridhesha. Shoh dy këmbë dhe (ndiej) një dorë në sup. Ai më thotë “Çohu se po të presin në skenë se ke marrë çmimin e parë të interpretuesve”.
Më tej, Valbona vijoi:
“Jo, i thashë unë, nuk jam unë dhe u tremba. Në momentin që e pashë, ajo ishte dashuri me shikim të parë. Ishte Sokoli! Sokoli që më mësoi gjithçka; Sokoli që më bleu këpucët e para. Më pas, një djalë që vinte nga një familje shumë e nderuar shkodrane, me një baba që kishte punuar gjithë jetën në Teatrin e Operës dhe Baletit, që e njihte muzikën, që flinte dhe zgjohej me muzikën…”, tregoi Valbona, duke treguar edhe rrugëtimin e tij me muzikën.
“Prandaj unë them që ai më mësoi gjithçka, sepse unë kisha vetëm një dhunti: zërin dhe nuk kisha absolutisht asnjë njohuri tjetër mbi muzikën. Më pas, dashuria jonë u kurorëzua me një martesë, ku në dasmë këndova unë, më shoqëroi edhe Sokoli. Një dasmë e bukur…Te mami nuk bëra dasmë se nuk kishim mundësi. Te Sokoli bëra një dasmë shumë të bukur shkodrane.”, tha këngëtarja, duke përmendur edhe faktin se ka pasur një familje të madhe me 7 motra dhe 2 vëllezër.
“Më pas, erdhi lindja e djalit dhe pas 18 muajsh, shkuam jashtë shtetit, të këndonim, ku konstatuam edhe sëmundjen e tij. Unë isha shtatzënë me vajzën dhe nuk e dija dhe doktori ma tregon sëmundjen. Kam përjetuar operacionin e tij në Zvicër, ndërkohë që isha me fëmijën në bark, ku qaja, përballesha me dhimbjet e tij, e ushqeja, gjithçka…Nuk i treguam nënës së tij që u bë operacion”.
“Kur erdha, unë isha 8 muajshe shtatzënë. Djalin e kisha shumë të vogël dhe ia kishim lënë motrës së Sokolit. Më pas, lindi vajza. Pas lindjes së saj, sëmundja e tij përparoi edhe më shumë. Më 24 dhjetor të vitit 2001, ai mbylli sytë. Në atë moment, m’u shemb bota, por kisha dy fëmijët, kisha përkrahjen e familjes së Sokolit. Duhej të merrja forcë dhe të vazhdoja jetën, sepse kisha një detyrë shumë të madhe: të rrisja fëmijët”.
Ajo tregoi edhe publikimin e albumit të parë:
“U gjenda mes një pasioni shumë të madh për muzikën që nuk doja ta lija, por edhe me një dhimbje shumë të madhe, pasi bota u shemb para këmbëve të mia. Kam punuar edhe duke qarë. Pastaj, me miratimin e familjes së Sokolit, publikova albumin tim të parë, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm. Këngën e Sokolit, “Brenga e shpirtit” e publikova pas 2 vitesh”, tha Valbona, duke prekur banorët.