Debate mes deputetëve janë zhvilluar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku po shqyrtohet projektligji “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.59/2014,“Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” në cilësinë e komisionit përgjegjës, ku do shqyrtohet që mosha e rekrutimit për ushtarak të rritet nga 27 vjeç në 30.
Deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferi deklaroi se sot Shqipëria është e “pushtuar” nga korrupsioni. Ndërsa, deputeti Xhemal Qefalia u shpreh se është krenari që djemtë dhe vajzat shqiptare shkojnë në misione në vende të huaja. Ndërkaq, deputeti Asllan Dogjani theksoi se duhet të rritet paga e ushtarakëve, me qëllim që rinia të mund të shërbejë në ushtrinë e vendit.
Ferdinand Xhaferi: Korrupsioni ka shkallmuar meritokracinë. Shëndetësinë e ka sekuestruar SPAK, janë 15 mijë faqe raport. Disa aktorë të opozitës e gjuajnë me fjalë drejtësinë e re, ndërsa ju shkallmuat Gjykatën Kushtetuese. Kreu i SPAK tha se efektivë policie janë të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është këmbanë alarmi për ne. Korrupsioni që po shohim nuk është i zakonshëm, por që na ka renditur në krye të planetit.
Xhemal Qefalia: Forcat tona të armatosura janë përkrah vendeve të NATO-s. Forcat tona të armatosura janë sot në misione ndërkombëtare. E keni të vështirë ta pranoni, kur flamuri ynë valëvitet mes flamujve të vendeve të mëdha të botës. Të miratojmë projekt-ligjin, që iu vjen në ndihmë forcave të armatosura.
Asllan Dogjani: Ju thoni se duhet të rritet mosha e rekrutimit nga 27 vjeç në 30 vjeç. Por, ju a besoni se vetëm kjo e zgjidh situatën? Unë besoj se duhet të bëhet më shumë për rritje të pagës. Ne po furnizojmë Europën me punëtorë, sepse ata ofrojnë pagë më të lartë. Si do ta zgjidhni që rinia të zgjedh bëhet ushtarak bazë? Nuk do ketë dëshirë, nëse nuk ka pagesa.