Gjatë intervistës në podcastin e tij me të ftuarit, kryeministri Edi Rama ka ngacmuar kryetarin e bashkisë së Shkodrës Benet Becin, se si këngëtari e mbështeti dhe përkrahu atë kur ai ka bindje të tjera politike
Pjesë nga biseda:
Kryeministri Edi Rama: Benet, kur ti vendose apo arrite të kesh Luizin në krah, çfarë mendove ti? Është e vetmja gjë që s’ke konsultuar me mua.
Benet Beci: Luizi u krijua si fenomen, në fakt e kam parë në dy anë. U krijua si fenomen që për Shkodrën ishte shumë interesante, për qytetin dhe si menaxher që jam, i shoh në aspektin se çfarë prurjesh mund të ketë.
Gjithmonë e kam parë, se ky krijoi një emër të mirë për Shkodrën, krijoi një fizionomi të mirë, një dashuri dhe njëkohësisht nxori në pah disa elementë të Shkodrës që janë të humorit, të pozitivitetit, të energjisë, që në fakt janë ashtu. Në një farë mënyre e kam parë gjithmonë mirë, me idenë që si mundet ky njeri që të jetë një njeri që mund t’i shërbejë Shkodrës. Ky e ka bërë menjëherë atë shërbim për Shkodrën në momentin që ka dalë.
Kryeministri Edi Rama: Po pse ishte shërbimi për Shkodrën duke ardhur me ty dhe jo duke shkuar nga zemra? Se ky zemrën e ka djathtas. Te ty ka ardhur me mendje.
Benet Beci: Ka dhënë një mesazh të jashtëzakonshëm dhe nuk ka të bëjë me mua. Unë kam bërë ndere shumë, se punët kanë qenë ashtu, për të bërë ndere, për të dhënë. Mirëpo, mënyra e mirënjohjes sesi e ka kthyer Luizi, në fakt është një mesazh i jashtëzakonshëm për një nga gjërat më të rëndësishme në parim që është mirënjohja dhe ajo ka pasur shumë vlerë për mua, se jo çdokush e bën atë.
Jo çdokush. Në jetë ne ballafaqohemi jashtëzakonisht, bën shumë dhe shpesh herë nuk ta kthen kush. Për mua ka qenë një shenjë që ka një mekanizëm që funksionon në jetë që në një moment të kthehet.
Kryeministri Edi Rama: Ty t’u bashkuan yjet.
Benet Beci: Mu bashkuan dhe yjet dhe kjo është një pjesë e bashkimit të tyre. Po ju bashkua Shkodrës kam përshtypjen për të qenë në këtë vend.
Kryeministri Edi Rama: U bashkuan yjet se mesa duket, unë me thënë të drejtën unë nuk isha optimist që do të ndodhte.
Luiz Ejlli: Që do të ndodhte, kush?
Kryeministri Edi Rama: Që do të ndodhte ky bashkimi i yjeve. S’isha optimist se në mënyrë të përsëritur e kisha kuptuar këtë gjë, që Shkodra vazhdonte mbante një pozicion, siç e quajte ti zemre. Pra, iracional dhe e mundte mendjen me atë që zemra i thoshte, i dukej sikur po bënte një tradhti shumë të madhe dhe e refuzonte edhe kur mendja thoshte, “shiko se mbase është momenti për ta hedhur këta hap”.
Pastaj, fillova ta ndjej që gjëja po merrte një lloj rruge dhe duke pasur kaq shumë, eksperiencë se u bënë nuk e di sa fushata, 9 më duket, kam arritur në një pikë dhe bëhet gjithmonë e më shumë e ndjeshme kjo që e ndjej nga atmosfera, e ndjej nga fytyrat e njerëzve, e ndjej nga energjia që krijohet edhe kur ecën në rrugë gjatë një fushatë se si është gjendja aty. Se a ka aty a s’ka fitore.
A ka aty mundësi për fitore, a s’ka?! Dhe këtë herë, kur erdha herën e parë, ndjeva diçka ndryshe dhe tek takimi që kemi pasur me gratë, aty mu duk se gjëja kishte filluar të thyhej, gjë që pastaj filluan ta tregonin dhe sondazhet që bënim ne. Po nejse, nuk është kjo.
Luiz Ejlli: Unë nuk e di dhe e them pa ndrojtje, nuk e di a ka ndikuar prezenca ime në krah të Benetit. Unë të shtunën kam qenë në Gjakovë duke kënduar. Deri në pesë e gjysmë kam qenë duke bërë foto dhe i kam hipur makinës e kam ardhur në Shkodër. Kam votuar e kam ikur prapë për në Gjakovë se kisha për të kënduar të dielën në darkë.
Unë e thashë, kam bërë detyrën që duhet të bëjë çdo qytetar shqiptar, të hedh votën dhe i kam kthyer nderin Benetit. Tani, a kam ndikuar apo jo nuk më intereson sinqerisht. Nuk e kam bërë as për njerëzit, e kam bërë për Benetit për t’i treguar që nëse është mundësia për t’i kthyer nderin, unë këtu jam, pak rëndësi ka a kam fituar Big Brother, a jam kryeministër, apo jam pa punë.
Unë ky Luiz jam, që të kam marr atë ditë në telefon, ky jam edhe sot para teje. Nuk ka të bëjë se çfarë arrita unë sot. Unë ai jam para teje, se nuk e harroj veten si e kam filluar dhe ku jam.
Kryeministri Edi Rama: Boll bërë propagandë për veten se na mbyte.
Luiz Ejlli: Po të bëja propagandë do thoja fitoi Beneti prej meje.
Kryeministri Edi Rama: Jo po e the në një farë mënyrë që nuk e di a fitoi prej meje, por unë e bëra timen. Po jo se nuk ka fituar prej teje, avash. Ta them unë që nuk ka fituar prej teje.
Luiz Ejlli: Po të më kishte mua përballë do flisnim.
Kryeministri Edi Rama: Do ishte në atë situatë me çfarë pashë unë, se të thashë, kur po flisnim që kur deri dhe dikush që unë e kam parë gjithmonë mbi libra edhe sa herë e shoh edhe flet kështu sikur është duke lexuar libër, arriti në pikën që shihte Big Brother-in, atëhere domethënë që situata ishte e tillë që Benetin po e po, po edhe mua po të më kishe dalë përballë do më kishe krijuar probleme.
Luiz Ejlli: Nuk i dihet!
Kryeministri Edi Rama: Po pra, atë po them. Tani, për të shkuar drejt fundit, jemi në kushtet kur ti jeton në Tiranë. Shkon në Shkodër shpesh?
Luiz Ejlli: Minimumi 2 herë në javë.
Kryeministri Edi Rama: Po për çfarë arsye shkon në Shkodër?
Luiz Ejlli: Shkoj vetëm se shkoj tek varri i babës, se shkoj shpesh, se atë vend e quaj shumë të shenjtë. Ka një paqe shpirtërore aty dhe kam pjesë të madhe të shoqërisë në Shkodër e për hir të asaj që kalove, kisha vendosur të bëja një jetë shumë të mbyllur. Nuk po e bëja atë jetën e natës në Tiranë, ato daljet dhe sapo kisha hapësira, ikja në Shkodër. Ikja 2 herë në javë. Tani që kam dalë, nuk po kam kohë as të pi një kafe me nënën, që e kam në Shkodër.
Kryeministri Edi Rama: Pyetjen e kisha për arsye tjetër. Ti e bëre atë që e quajte kthimin e nderit për Benetin. Tani, duke qenë se ti je i lidhur me Shkodrën, shkon në Shkodër e nuk je aty gjithë kohës, gjë që të krijon dhe një farë distance, por je dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe sheh.
Çfarë do doje ose çfarë pret nga Beneti, se nderin ia ktheve, nuk mund t’ia kthesh gjithë jetën, u latë. Çfarë pret ti nga Beneti si një votues i tij që pastaj kur të vijë radha përsëri të thuash, e bëri këtë që prisja apo bëri jo aq sa prisja, apo bëri mjaftueshëm. Prandaj do ia jap votën prapë. Çfarë pret ti? Po të pyes si një shkodran që e ka votuar.
Luiz Ejlli: Unë e them haptas. Kërkoj tre gjëra nga Beneti si qytetar shkodran, si populli.
E para, pastrimin e qytetit nga plehrat që bëhen sa më shumë mbushen kazanët, digjen e dihet.
Lagjet e vjetra ose lagjet që janë pak më të thella, janë pa rrugë të shtruara. Bie shi dhe bëhet gropa që s’ke mundësi të kalosh. Flas qytetin, s’ka lidhje se Oboti e ato pjesa këtej. Pra, shtrimin e rrugëve dhe Shirokën, Bunën, thellimin e saj në bashkëpunim me mbështetjen tuaj kuptohet, edhe të jashtëm që janë të gjithë, jam i bindur që të gjithë do thonin po, se jam i bindur që ajo pjesë mund të bëhet shumë më e bukur se Venecia. Ura është bërë, ka atë hapjen, aty mund të vijnë nga Mali i Zi, bëhet një turizëm, vende pune.
Të dy kemi qenë në France, në Paris, kemi parë kanalin se si është me ato varkat restorant, me muzikë, pra mund të bëhet në Shkodër, por ajo do thellim, do pastrim dhe jam i bindur që Beneti mund t’i bëjë, jo se po ja kërkon Luizi apo Shkodra, por me aq sa e kam njohur Benetin e di që nuk e zë vendi pa i bërë.
Kjo është ajo që kërkoj unë, duke marrë parasysh që nuk jetoj aty aktualisht, por kam qejf ta shoh. Kur të marr vesh që janë bërë këto tre gjëra do të them bravo të qoftë që e bëre për Shkodrën, se unë nuk them do ta bësh për Luizin apo për Benetin. Bëje për Shkodrën e po i bëre këto, për mua ka respektin maksimal dhe i ka hallall të gjitha votat dhe gjithçka.
Kryeministri Edi Rama: Ka hallall një votë, se një votë i ke dhënë. Të tjerët do ta vendosin vetë atë punë.
Benet Beci: Vë re diçka. Në Shkodër disa herë më thonë këtë pjesën që ishalla po i bën plehrat, ishalla po i bën rrugët, që është detyra normale
Kryeministri Edi Rama: Lëri se këto i dimë. Se plehrat po nuk i bëre dhe plehrat do vi do të fus në kazan vetë. Ky pastaj po të dojë le të vejë kapakun. Benet, kam një pyetje shumë serioze, se nuk e kemi bërë këtë muhabet.
Sot takohemi për herë të parë pasi u përshëndetëm aty tek selia kur erdhët me Mamicën. Tani ti je bërë kryetari i bashkisë së Shkodrës. Unë shpresoj shumë që ti do jetosh në Shkodër e nuk do jesh si disa kryetarë bashkie në historinë e këtyre viteve që votohen atje, janë nga atje apo kanë një lidhej me atje dhe pastaj e bëjnë Tiranë – atje, e atje – Tiranë çdo ditë.
Benet Beci: Po filluam projektet e mëdha bashkë, aty më ke.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo. Projektet e mëdha i bëj vetë unë.
Benet Beci: Ishte një mënyrë…
Kryeministri Edi Rama: Unë nga kryetari i bashkisë kur bëhet fjalë për projektet e mëdha, dua vetëm mos të më pengojë, të më ndihmojë, të bëjë ato gjërat e thjeshta, por për rrugët e brendshme, duhet mbështetje dhe bashkëpunim me bashkinë dhe unë po nuk erdha të pi një kafe, në shpinë tënde në Shkodër, ku ti do jetosh e po nuk pashë…
Luiz Ejlli: Po më ra këpuca në gropë..
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo, po nuk pashë që ti, me TIMS-in e regjimit, po nuk pashë që ti të premten në darkë nisesh për Tiranë e të dielën në darkë vjen në Shkodër, të jemi shumë të qartë.
Luiz Ejlli: Çunat i ke te Ura e Bahçallëkut.
Kryeministri Edi Rama: Të jemi shumë të qartë, se ma tha Ermali i Vlorës, një çun i shkëlqyer dhe besoj që është zgjedhja e duhur, ishte në punë të vetë në ambasadë dhe bëmë disa anketime, pamë kush mund të jetë figura e re dhe dilte që ishte një njeri që mund të na garantonte dhe mbështetjen e njerëzve, por e di që është djalë shumë korrekt e punëtor.
E më tha kur vajtëm, se u takuam që kur ishte kandiduar, u takuam kur shkuam tek takimet e Vlorës e duke folur më tha, “çfarë pret nga unë”? i thashë, të rrish pa gjumë. Nëse ti rri pa gjumë çdo gjë tjetër është ok. Kështu që nga ty unë pres të rrish në Shkodër, Benet. Këtë mos ta diskutojmë sepse pastaj do na hape shumë probleme e larg qoftë se unë një zëvendësues e kam gati.
Luiz Ejlli: Fillojnë mocionet e mosbesimit,
Kryeministri Edi Rama: Jo po kemi dhe zëvendësuesin gati. Kështu që, shumë faleminderit.
Luiz, ishte vërtetë kënaqësi. Edhe një herë uroj të kesh një jetë të lumtur me bashkëvuajtësen.
Benet, uroj që sa më shpejt, jo nesër, por…
Benet Beci: Unë jam tashmë në Shkodër, nuk kam lëvizur. Kështu që do vazhdoj të rri atje.
Kryeministri Edi Rama: Me shtëpi, me faturë dritash, po që konsumon drita aty kur Shkodra fle. Kazan më kazan për të parë pastrimin. Ti jap unë recetat e mia se kështu kanë qenë kazanët si në Shkodër, se janë pjesë e votimit me zemër ato dhe ta them unë si pastrohen, por vetëm të më rrish atje zgjuar.
Benet Beci: Atje jam, nuk do kthehem më nga Shkodra.
Kryeministri Edi Rama: Jo për t’u kthyer do kthehesh ti. Se do ndërrohesh, do bëhesh.
Benet Beci: Jo po aty më ke.
Luiz Ejlli: Prandaj thonin njerëzit kemi ndenjur pa fjetur për Luizin, se unë isha zgjuar. Prandaj kam fituar. Katër muaj e gjysmë nuk kam fjetur. E ke me fakte, nuk na doli koha të flinim thonin. Se rrija deri në 3, flija dy orë, u çoja në 5.
Kryeministri Edi Rama: Tani me ty është ndryshe. Ata do flenë, ti do rrish zgjuar, ne do të mbështesim. Ke kërkuar një gjë Benet dhe e ke marrë, që është shumë e madhe dhe është një gjë aq e madhe sa aq të madh mund të të bëjë ty në sytë e njerëzve në historinë e Shkodrës, aq mund edhe të të shkrihet në dorë si të jetë një copë akulli në shkretëtirën e Saharasë. Faleminderit shumë!
Këta ishin të ftuarit sot dhe besoj që jo për meritën time, kjo do të jetë një ngjarje në historinë e podcastit dhe do të jetë një sezon që do të ndiqet shumë, sepse vazhdon një kuriozitet i caktuar, që unë nuk kam lidhje, por natyrisht regjimi i shfrytëzon të gjitha e të gjithë.