Vështirësitë nga rritja e shpenzimeve pritet të nisin edhe për prodhuesit e ujit të ambalazhuar. Pas luhatjeve të larta të çmimeve të lëndëve të para në pandemi dhe pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, në tregjet e huaja, tarifat e lëndëve të parë po shtrenjtohen sërish.
Rritja më e lartë ka nisur për lëndën e parë të plastikës.
Administratori i fabrikës së ujit “Lajthiza”, z. Thanas Siveri, pohon se një tjetër shtrenjtim i lëndëve të para do të rrisë koston prodhuese. Z. Siveri nënvizon se nuk pritet të ketë rritje të çmimeve për konsumatorin dhe shtimi i kostove do të amortizohet me uljen e fitimeve të kompanisë.
“Vitet e fundit është regjistruar rritje e lartë e çmimeve të lëndëve të para, si për plastikën, energjinë, naftën. Edhe sivjet, çmimet e lëndëve të para në tregjet e huaja kanë tendencë në rritje.
Pavarësisht çfarëdolloj kostoje shtesë që do të kemi, çmimet e shitjes për konsumatorët nuk do të rriten. Kostoja shtesë do të përballohet me uljen e fitimeve”, u shpreh z. Siveri për podcast-in “Business Plus”.
Ndërtuesit pohuan më herët se për të frenuar largimin e punonjësve vendas kanë rritur pagesat ditore në nivele 6,000 deri në 7,000 lekë/punëtor. Pritet që dy vitet e ardhshme, paga e tyre të arrijë 8,500 lekë dita (rritja e pagesave ditore/punëtor 20%).
Për ndërtuesit, rritja e pagave për punëtorët nuk mund të shmangë rritje tjetër të çmimeve të shitjes së apartamenteve, duke përfshirë edhe rritjen e kostove që nisi nga vera e vitit të kaluar për taksën e ndikimit në infrastrukturës, pas ndryshimeve të çmimeve të referencës.
Ndërtuesit pohuan se këtë vit janë prekur edhe te kostot fikse, pasi rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit krahasuar me vjet është 5%. Për periudhën pas pandemisë së Covid-19, deri tani, shtrenjtimi i materialeve arrin deri në 40% sipas ndërtuesve.
Pse nuk funksionoi skema për marrjen e punonjësve të huaj?
Për vitin 2023, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtarë e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) ishin 9,825 shtetas të huaj të pajisur me leje pune dhe vërtetime pune. Numri më i lartë i të punësuarve të huaj ishte në bare dhe restorante. Në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor u punësuan 1,094 shtetas huaj.
Në ndërtim pati 999 leje punësimi të miratuara, në aktivitete të tjera shërbimi u punësuan 985 të huaj, në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë 848 punësime dhe industritë te tjera përpunuese 788 të huaj të punësuar.
Sipas AKPA, vjet kryesuan të ardhurit nga Turqia, të dytët ishin shtetasit nga Bangladeshi, Nepali, India dhe Itali. Ekspertët vlerësuan se numri i punësimeve të të huajve është i papërfillshëm krahasuar me kërkesat e bizneseve vendase për forcë punëtorë.
Tendenca pritet të vijojë të jetë e tillë edhe gjatë 2024.
Shumë drejtues të kompanive të prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve pohuan se u tërhoqën nga marrja në punë e të huajve nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend tranzit për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së.
Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore, pohoi më herët për “Monitor” se mosfunksionimi i skemës erdhi nga parregullsitë që hasi zbatimi nga të dyja palët, si nga agjencitë e shteteve që ofrojnë punonjës të huaj, por edhe rekrutuesit shqiptarë.
Ai theksoi edhe problemin me produktivitetin e punonjësve nga vendet e Azisë që mund të jetë i pranueshëm në rastet ku kompanitë marrin qindra punonjës.
Në bizneset shqiptare, të cilët marrin 10 apo 20 punonjës me paga neto 400 USD në muaj, sipas tij, kjo tregon se produktiviteti dhe kualifikimi i të huajve është i ulët./MONITOR