Besimtarët myslimanë në të gjithë globin kanë nisur sot agjërimin për muajin e paqes dhe mëshirës. Agjërimi që fillon para lindjes së diellit deri në perëndim të diellit zgjat diku nga 12 deri në 18 orë, në varësi të vendit ku ndodheni në botë.Myslimanët besojnë se Ramazani është muaji kur vargjet e para të librit të shenjtë të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1400 vjet më parë.
Agjërimi përfshin abstenim nga ngrënia, pirja, pirja e duhanit dhe marrëdhëniet seksuale gjatë orëve të ditës për të arritur një “takva” ose “devotshmëri” më të madhe për Zotin.
Ramazani fillon çdo vit 10 deri në 12 ditë më herët, teksa gjatë agjërimit, nga syfyri tek iftari të mban larg ushqimit, pijeve, duhanit, marrëdhënieve seksuale, ndërsa zemrat e besimtarve lakmojnë mirësitë dhe begatitë e Krijuesit.
Muaji i mëshirës, muaji i pendimit, i faljes e i durimit, muaji i bamirësisë, i solidaritetit, lutjes, sjellë për besimtarët një shije të veçantë, një shije të ëmbël dhe qetsuese. Këtë vit data 17 prill do të shënojë një moment të veçantë për besimtarët myslimanë, pasi pikërisht në këtë datë do të jetë Nata e Kadrit, agjërimi i së cilës shënohet si më e vlefshme se 1000 muaj.
Bazuar nga dijetarët, Nata e Kadrit ndodhet në 10 ditëshin e fundit të muajit Ramazan dhe në netët teke dhe është lënë e papërcaktuar saktësisht me qëllim që besimtarët të shtojnë adhurimet në 10 ditëshin e fundit dhe të mos mjaftohen vetëm me një natë.
Në të engjëjt e Zotit të kryesuar nga Xhebraili zbresin në dynja dhe në të përcaktohet fati i një viti për çdo njeri si edhe ajo është një natë e bereqetshme dhe mbizotëruar nga paqja deri në agim.
Pse Ramazani fillon çdo vit në data të ndryshme?
Ramazani fillon çdo vit 10 deri në 12 ditë më herët. Kjo për shkak se kalendari islamik bazohet në kalendarin hënor të Hixhrit me muaj që janë 29 ose 30 ditë. Ky muaj i shenjtë ka nisur sot më 23 mars dhe do të përfundojë më 20 Prill që përkon ditë e enjte.
Agjërimi, kohët e iftarit nëpër botë
Numri i orëve të ditës ndryshon në të gjithë botën.
Myslimanët që jetojnë në vendet më jugore të botës, si Kili apo Zelanda e Re, do të agjërojnë mesatarisht 12 orë, ndërsa ata që jetojnë në vendet më veriore, si Islanda apo Grenlanda, do të kenë agjërim më shumë se 17 orë.