Ditën e sotme banues të një pallati në lagjen 17, pranë Rajonit të Policisë së qytetit të Durrësit kanë protestuar kundër rikonstruksionit të objektit. Të shqetësuar ata shprehën pamundësinë e tyre për daljen nga banesa në një afat të shkurtër 10 ditor. Ata kërkojnë t’i paguhet qeraja për muajt që do të largohen nga shtëpia ose në të kundërt e refuzojnë këtë konstruksion.
Banorët tregojnë se kanë përfituar bonusin e qerasë si dhe kanë përfituar edhe shumën prej 500.000 lekë të reja në përputhje me aktekspertizën e bërë, sipas së cilës objekti i banuar ka pasur dëmtime të nivelit DS3.
Nga njoftimi i ri që kanë marrë, ata janë lajmëruar të boshatisin shtëpitë e tyre sepse pallati sipas rishikimeve të bëra është në nivelin e dëmtimit DS4.
Protestuesit patën edhe një përballje me nënkryetarin e bashkisë së Durrësit Elio Jani, i cili u shpreh se konstruksioni ishte në të mirë të qytetarëve, pasi pallati kishte kollonat e dëmtuara.
Sipas tij rregullimi i tyre do të zgjaste 3 muaj dhe më pas qytetarët do të ktheheshin të sigurt në banesat e tyre.