Policia e Shtetit, pas një punë të mirfilltë hetimore, ka arritur të arrestojë një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në pranga ka rënë Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja.
Xhelal Rraja ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
“Policia e ShtetitPas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xhelal Rraja Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka. Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.
Ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Kujtojmë se një vit më parë, Xhelal Rraja u përfshi në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Në atë kohë, Xhelal Rraja u shpall në kërkim nga policia.