Apeli ditën e sotme ka liruar nga burgu ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe.
Gjykata e shkallës së Dytë ka pranuar kërkesën për liri pasi ka përfunduar dënimi i dhënë nga shkalla e parë.
Kujtojmë se Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik 2021, me ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin. Në fund, Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u shkarkua nga detyra më 7 korrik 2021 nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.