Ngjarja e ndodhur pasditen e së shtunës (10 gusht 2024), ku 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën si pasojë e dhunës barbare, mbetet ende e paqartë. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, ku u tha se Proga humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.
Policia e Pogradecit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes, 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me viktimën jashtë ambienteve të një lokali. Meçe është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gorës. 29-vjeçari pas konfliktit është arratisur por tani është arrestuar dhe akuzohet për “Vrasje me dashje”. Pas raportimeve në media për Meçen, dyshimet u shtuan se ngjarja mund të jetë fshehur nga autoritetet. Vetë Policia në një reagm zyrtar ka sqaruar se ngjarja nuk është fshehur dhe as nuk është manipuluar nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec.
Ndër të tjera në reagim thuhet se ngjarja vlerësuar maksimalisht nga Strukturat e DVP Korçë dhe ato të Komisariatit Policisë Pogradec është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur Grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e lokalit, janë shoqëruar disa persona, që kanë qënë prezent në momentin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj.
REAGIMI I POLICISË:
Nisur nga disa lajme të publikuara në rrjete sociale në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, dhe për këtë aludohet se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec, sqarojmë opinionin publik se: Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.
Ngjarja është vlerësuar maksimalisht nga Strukturat e DVP Korçë dhe ato të Komisariatit Policisë Pogradec është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur Grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e lokalit, janë shoqëruar disa persona, që kanë qënë prezent në momentin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj.
Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit dhe tre shtetasve të tjerë për moskallëzim krimi, dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka dhënë njoftim zyrtar me versionin zyrtar.
Ftojmë mediat dhe këdo që është i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohet zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në DVP, dhe jo t’i referohen burimeve jo zyrtare. Garantojmë qytetarët dhe median se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në varësi të saj janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët, pushuesit, vizitorët dhe turistët. Faleminderit.
Si ndodhi ngjarja
Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se gjatê një konflikti në afërsi të një lokali, viktima është goditur dhunshëm nga Meçe. 37-vjeçari ka hyrë brenda lokalit, ka qëndruar vetëm 2 minuta, e më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar. Proga ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin e Pogradecit, për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar. Për ngjarjen në fjalë në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.