Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të qëndrojë sot në Shqipëri, ku do të takohet me krerë shtetërorë, me të rinj dhe afganët që po strehohen në këtë shtet.
Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë, dhe, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka uruar mirëseardhjen virtualisht zyrtarit të lartë amerikan.
Mesazhi i Ramës vjen vetëm pak orë para takimit ‘kokë më kokë’, i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp me sekretarin amerikan.
Vizita e Blinken në Tiranë do të pritet me nderimet më të larta shtetërore, ndërsa gjatë qëndrimit të tij 8 orësh janë parashikuar një sërë aktivitetesh.
Agjenda e plotë:
Rreth orës 11:00 Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Ora 13:35 Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe anëtarët e familjes në Tiranë, Shqipëri.
Ora 14:15 Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.
Ora 15:05 Sekretari Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri.
15:35 Sekretari mban fjalime në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “ Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” në Tiranë, Shqipëri.
Ora 16:15 Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.
Ora 17:55 Sekretari merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi mbi Kuadrin për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.
Ora 18:10 Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë, Shqipëri.
Sipas zëvendësndihmëssekretares amerikane të Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, vizita në Tiranë përkon me fillimin e shekullit të dytë të raporteve SHBA-Shqipëri.
“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha më herët se vizita e zyrtarit të lartë amerikan tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.
“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama më 14 shkurt.
Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Pawell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.
Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.