60% e familjeve në Shqipëri mund të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të kaluar muajin, apo për të bërë aktivitetet e tyre të pritshme.
Por, nëse ato do të përballen me shpenzime të papritura si p.sh. një sëmundje apo problem tjetër, ata nuk do të ishin në gjendje ta përballonin.
Materiali “A janë familjet shqiptare financiarisht të brishta”, nga Elona Dushku, Departamenti i Kërkimeve, në Bankën e Shqipërisë ka analizuar brishtësinë financiare të familjeve shqiptare bazuar në aftësinë e familjeve për të përballuar një shpenzim të papritur, si dhe analizon krahas treguesve socio-ekonomikë (si: mosha, gjinia, borxhi), rolin e kompozimit të portofolit të aktiveve të familjeve.
Familjet financiarisht të brishta janë ato familje që mund të përballojnë shpenzimet e pritshme, por nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet e papritura.
Duke përdorur të dhënat e marra nga raundi i parë i Vrojtimit të Pasurisë së Familjeve në Shqipëri, është vlerësuar se 60% e familjeve në Shqipëri konsiderohen financiarisht të brishta, pra janë familje që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar një shpenzim të papritur, në masën e medianës së të ardhurave totale të familjeve.
Vlerësimet e marra nga regresionet multinomiale tregojnë se probabiliteti i familjeve për të qenë financiarisht të brishta lidhet negativisht me nivelin e arsimimit të personit referues, vlerësohet në studim.
Gjithashtu rezultatet tregojnë se aksesi financiar dhe lidhjet familjare zvogëlojnë gjasat që familjet të jenë financiarisht të brishta, sipas BSH.
Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë që një familje shqiptare çon mesatarisht 40% të shpenzimeve totale vetëm për t’u ushqyer. të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se buxheti që shpenzojmë për t’u ushqyer është më i larti në Europë.