Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme në një banesë në lagjen “Uznovë” në Berat. Zjarri ka rënë në banesën e shtetases Kristina Kola dhe në momentin e rënies nga zjarri në banesë nuk ka pasur njeri.
Pas marrjes së njoftimit në zonë kanë shkuar e mjete zjarrfikëse me grupin e shërbimit prej 12 efektivësh si dhe forca policie. Zjarri kishte filluar në kuzhinën e banesës dhe më pas ishte përhapur me shpejtësi në dhomat e tjera.
Flakët e zjarrit u lokalizuan në një kohë të shkurtër dhe zjarri është fikur totalisht pas rreth 30-minutash nga rënia e tij. Burimet zjarrëfikëse në vendngjarje kanë konfirmuar se shkak për zjarrin është bërë soba e ngrohjes që ishte lënë e ndezur nga kryefamiljarja, që ishte larguar nga banesa.
Vetë kryefamiljarja Kristina Kola shpjegon se në momentin e rënies së zjarrit ajo ishte në spital me djalin e sëmurë dhe është njoftuar nga fqinjët.
“Kur mbërrita në shtëpi, gjithçka ishte djegur, përfshi edhe të gjitha orenditë shtëpiake”, shprehet ajo.