Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës prej disa ditësh. Një fëmijë vetëm 3 vjeç është marrë nga gjyshërit nga ana e babait dhe prej ditësh nuk dihet fati i tij. Uniformat blu prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e të miturit, por ende nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet.
Nëna e 3-vjeçarit ka deklaruar se gjyshërit kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por nuk e kanë kthyer më. Ajo ka pritur disa orë dhe kur vjehrri me vjehrrën nuk i kanë kthyer fëmijën i ka telefonuar, por celulari i tyre ka rezultuar i fikur.
Gruaja ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.
“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë femijën të shkonte te gjyshërit e tij”, tha nëna e 3-vjeçarit.