Kanë dalë pamjet e plagosjes së një të moshuari pak ditë më parë në Durrës, ndërsa ngjarja u raportua se ndodhi për shkak të një borxhi të pashlyer.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, shihet se si autori Adil Hizdri thërret pranë makinës së tij, 70-vjeçarin Fadil Hunda, të cilin e qëllon më pas me armë. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen numër 17 të Durrësit pasditen e 18 Korrikut, ndërsa i moshuari mori dy plumba, dhe ndodhet ende në spital.
Djali i personit të plagosur, Romir Hunda, është shprehur se autori ka dashur t’i marrë peng të atin. Sipas tij, ka qenë autori i cili i ka pasur borxh atyre dhe jo e kundërta siç u raportua në fillim.
Sa i takon pamjeve filmike, 70-vjeçari Hunda shihet duke u afruar pranë makinës së autorit, ndërsa pas një bisede mes tyre, Adil Hizdri qëllon drejt tij me armë. I moshuari detyrohet që të fshihet te disa makina të parkuara, në mënyrë që t’iu shpëtojë plumbave.
Por, i riu ka dalë nga makina dhe ka ndjekur të moshuarin për ta qëlluar. Ky i fundit ka pasur një përplasje fizike me 31-vjeçarin, dyshohet në tentativë për t’i marrë armën.
Sipas djalit të të plagosurit, autori e ka thirrur 70-vjeçarin tek makina dhe ka mbushur pistoletën duke i thënë “hip në makinë”. 70-vjeçari nuk ka pranuar dhe i riu e ka qëlluar me armë.