Më 1 gusht të 2024, në mbledhjen e qeverisë u miratuan ndryshmet në “Urdhrin e Mjekëve”. Janë ashpërsuar penalitetet, duke filluar me vërejtje, tek pezullimi i shërbimeve mjekësore për një kohë, pezullimi i licencës, gjoba 100 mijë deri në 1 milionë lekë të reja. Penaliteti më i rëndë është heqja e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut.
Jo më shumë se 12 orë në javë në privat
Për mjekët specifiohet se nuk mund të punojnë në spitale apo klinika privat më shumë se 30% të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik. E thënë ndryshe, nëse marzhi maksimal i punës me ligj në institucione shëndetësore publike parashikohet 5 ditë nga 8 orë, ose 40 orë në javë pra, përllogaritet se në privat nuk mund të punojnë më shumë se 12 orë në javë.
Nuk lejohet t’i sugjerojë pacientit klinikën e vet
I ndalohet çdo mjeku që t’i sugjerojë një pacienti që ka shkuar për trajtim dhe shërbime në spitalin publik, që të shkojë në klinikë private.
Kërkesa për dypunësim
Tek Urdhri i Mjekut është shtuar një nen totalisht i ri, neni 8/a që përcakton dhe kriteret që duhet të plotësohen për të pasur dypunësim, shtet dhe privat dhe kush përjashtohet. Nëse një mjek kërkon të ushtrojë profesionin tek privati duhet ti bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar. Nuk mund të punojnë në privat mjekët që janë të punësuar në spitale publike të cilat kanë përfituar statusin e autonomisë spitalore. Pra mjekët që kanë edhe pozicione drejtuese.
Emri në regjistër publik elektronik
Në rast se titullari vlerëson se nuk ka pengesa, miraton kërkesën dhe njofton ministrinë e Shëndetësisë. Kjo e fundit bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik.
Masat disiplinore
Në nenin 17 të Urdhrit të Mjekut parashikohen dhe masat disiplinore që merren për mjekët që kryejnë shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë gabime teknike.
Masa: Vërejtje;
– Pezullim për të realizuar shërbime të caktuara mjekësore, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 3 (tre) vjet;
-Pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut në tërësinë e saj, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 5 (pesë) vjet;
-Gjobë me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
– Heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut.
Procedimi disiplinor fillon brenda 5 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në rastin kur mjeku ushtron detyrën në të njëjtin institucion shëndetësor, ku ka kryer shkeljen disiplinore, procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të saj. Masa disiplonore vërejtje shuhet 3 vjet pas dhënies apo përfundimit të saj. Masa e pezullimit shuhet pas 5 viteve të përfundimit të periudhës së pezullimit apo të pagimit të gjobës. Ndërsa nëse një mjeku i hiqet licenca nuk kthehet më.