Qindra mijëra persona fatkeqësisht kanë humbur jetën në Ukrainë dhe Rusi si pasojë e përplasjeve luftarake mes dy vendeve, dhe nëse dëgjon të gjitha historitë janë tepër prekëse dhe shumë rrëqethëse.
Një prej dramave të këtij luftimi është ajo e Valeria Subotina 33-vjeçare dhe të dashurit të saj Andriy Subotin 34-vjeçar. Të dy ata jetonin në qytetin e Mariupolit i cili sot është i pushtuar, pasi që në fillim të luftimeve ka qenë një prej më të sulmuarve.
Kur forcat Ruse u futën në qytet, Valeria dhe Andriy që ishin pjesë e ushtrisë u strehuan në fabrikën e çelikut në Azovstal për ta mbrojtur këtë godinë që konsiderohej nga të vetmet të paprekura. Të dy të rinjtë ishin njohur me njëri-tjetrin disa kohë para nisjes së luftës me anë të punës që bënin.
“Ai ishte i veçantë, gjithmonë i sjellshëm dhe kurrë nuk refuzonte për t’i ndihmuar të tjerët”, thotë Valeria duke treguar se si u dashurua me shikim të parë me Andriyn. Tre muaj pasi u njohën, ata vendosën që të jetonin bashkë duke marrë një shtëpi të vogël me qira në Mariupol.
“Bëmë disa udhëtime, shkuam në male, takuam miq, peshkuam bashkë, vizituam shumë teatro dhe koncerte. Jeta ishte e bukur”, tregon më tej ajo. Të dy bashkë ëndërronin që të martoheshin dhe të bënin një dasmë ku të ftonin miq dhe familjarë, por gjithçka ndryshoi në shkurt të vitit 2022.
Pak ditë përpara se lufta të niste, Andriy i kishte kërkuar të dashurës që të largoheshin nga vendi, por ajo nuk kishte pranuar: “E dija se çfarëdo që të ndodhte duhej të isha në Mariupol për të mbrojtur vendin tim”. Brenda pak kohësh të dyve atyre do tu duhej që të jetonin në bunkerët nëntokësorë, ku e shikonin njëri-tjetrin më radhë, por kur takoheshin ato ishin momentet më të bukura, kujton Valeria.
Në datën 15 prill një bombë do të shpërthente sipër uzinës, dhe Valeria mbetet e plagosur rëndë duke i shpëtuar vdekjes për pak. “U gjeta mes trupave të pajetë e vetmja e gjallë! Nga njëra anë ishte mrekulli, por edhe tragjedi pasi të gjithë miqtë e mi humbën jetën”.
Për 8 ditë ajo mori mjekim në spitalin nëntokësor të fabrikës: “Era e gjakut dhe kalbëzimit ishte kudo. Ishte një vend i frikshëm ku ngado që të hidhje sytë do të shikoje shokë të plagosur e me gjymtyrë të prera”, thotë 33-vjeçarja.
Gjatë kësaj kohe Andriy ishte shumë i shqetësuar për të dashurën e tij, dhe filloi të planifikojë martesën sa më parë aty në bunker. “Më dukej sikur nuk do të kishim më kohë! Ai bëri vetë dy unaza martese me fletë kallaji dhe më kërkoi të martohem me të. Sigurisht që thashë po”, thotë Valeria.
Ata u martuan në datën 5 maj nga një komandat, dhe veshur manin uniformat e tyre si veshje të dasmës. Por dy ditë më vonë në 7 maj, Andriy u vra në fabrikën e çelikut nga granatimet e Rusisë.
Valeria nuk e mori vesh menjëherë lajmin e keq. “Njerëzit shpesh thonë se ndjen diçka brenda kur vdes një njëri i dashur. Por unë përkundrazi, isha në humor të mirë sepse u martova dhe isha e dashuruar. Isha nuse, isha grua dhe tani jam e ve. Kjo është e frikshme”, tha ajo.
Në 20 maj ushtarët që po qëndronin në fabrikën në Azovstal u dorëzuan, dhe Valeria e gjeti veten mes 900 robërve të luftës që u morën nga forcat ruse. Ajo mundi t’i mbijetojë për 11 muaj robërisë dhe torturave, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe shpesh Andriy i shfaqej në ëndrra.
Më pas në muajin prill të vitit të kaluar ajo u lirua si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish, dhe tashmë është kthyer në Ukrainë!
Është e vështirë të tregosh me saktësi se sa persona kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve në Mariupol, por autoritetet tregojnë për një shifër që i kalon 20 mijë. Me ato që Valeria di, sot e kësaj dite trupi i bashkëshortit të saj ka mbetur në fabrikën e çelikut në Azovstal, pasi tashmë qyteti është në pushtimin e Rusisë.