Tendencat ekonomike në Shqipëri mund të thuhet se zhvillohen në mënyrë të çuditshme. Në një kohë kur në vend që pas pandemisë së koronavirusit ka ulje të konsumit të përditshëm nga qytetarët, tregu i shitjes së apartamenteve nuk reflekton aspak këtë tendencë.
Ky fenomen është prezent më tepër në qytetet turistike siç është ai i Durrësit. Nje metër katrore kushton 200-300 euro më shumë se një vit më parë.
Por si shpjegohet nga agjentet imobiliarë kjo tendencë dhe cilat janë zonat më të preferuara për të blerë apartamente në Durrës.
“Kemi blerës shqiptarë emigrantë, por rritja më e madhe vjen nga të huajt, kryesisht nga Çekia dhe Polonia, por më së fundi edhe Ukraina dhe Rusia. Kërkesa janë për pjesën e Vollgës, për qendrën dhe pjesën e Plazhit, dhe shtyhet deri në Qerret të Kavajës”, thotë agjenti imobiliar Florian Tahiri.
Cilësia e ndërtimit si dhe interesimi në lidhje me dëmtimet që ka pësuar në tërmetin e vitit 2019, është një tjetër kërkesë e blerësve të apartamenteve në Durrës, ç’ka tregon edhe për një ndërgjegjësim të blerëseve dhe ndërtuesve si për mirëmbajtjen ashtu edhe për ndërtimin e objekteve të reja.