Një qytetar në Elbasan tentoi të vriste fqinjin e tij, duke e goditur me automjet dhe me levë, për shkak të një konflikti për motive pronësie.
Për këtë arsye 34-vjeçari me inicialet G.M u kap në Kapshticë, në një tentativë për t’u larguar nga vendi.
Policia ka sekuestruar automjetin e tij si dhe një mjet të fortë (levë metalike) që u përdorën për kryerjen e këtij krimi.
Ja njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas ishte dëmtuar me sende të forta, nga fqinji i tij, pas një konflikti ndërmjet tyre, kanë organizuar punën për kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kapshticë, u kap dhe u ndalua në këtë pikë të kalimit kufitar, në tentativë për të dalë nga vendi ynë, shtetasi G. M., 34 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ditën e djeshme, për shkak të një konflikti për motive pronësie, shtetasi G. M. ka goditur me automjet dhe me levë metalike, fqinjin e tij, shtetasin H. M., 57 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan, i cili lëvizte me biçikletë. 57-vjeçari ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti i fortë (levë metalike) dhe automjeti që dyshohet se janë përdorur nga shtetasi G. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë.