Prej vitesh qindra turistë udhëtojnë me varkë nga diga e Liqenit të Komanit në drejtim të Lumit të Shalës. Por me rritjen e numrit të turistëve, është rritur edhe ndotja e Liqenit të Komanit.
Liqeni i Komanit nga stacioni ku nisen tragetet në drejtim në Lumin e Shalës e deri në vendmbërritje, është përplot me mbeturina.
Këtë gjë ka nxjerrë në pah edhe një blogere italiane, Alessia Rizzelli, e cila ka vizituar Shqipërinë muajin e fundit. Ajo ka postuar një video të Liqenit të Komanit në “TikTok”, ku duken mbeturinat dhe ka hedhur poshtë pretendimin se turistët janë përgjegjës të ndotjes.
Në video dëgjohet turistja e cila hedh poshtë pretendimin se “ndotja është krijuar nga turistët e papërgjegjshëm” dhe shton se mes mbeturinave ka edhe një frigorifer.
Prej disa javësh kjo problematikë është kthyer në shqetësim, por pavarësisht nga përpjekjet për pastrim, situata mbetet alarmante.
Ndonëse mediat dhe turistët e kanë denoncuar këtë situatë, nuk është marrë ende asnjë masë.







