Prokuroria e Posaçme iu ka komunikuar akuzat 12 personave nën hetim për inceneratorin e Tiranës lidhur me masat e para që janë caktuar për këtë dosje në dhjetor të vitit të kaluar.
Report Tv raporton se akuzat janë komunikuar për “shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”.
Ndërsa mësohet se hetimet kanë përfunduar vetëm për personat që kanë marrë pjesë në procedurat deri në lidhjen e kontratës koncesionare dhe komunikimi i akuzave është bërë për shkak se ndodhen drejt përfundimit të afatit hetimore për veprën penale për të cilën akuzohen.
Mes personave që iu është komunikuar akuza janë: Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola, Jetmir Llapaj dhe Erjon Murataj.
Ndërsa për Alqi Bllakon nuk u bë komunikimi i akuzës, kjo pasi ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit janë zbuluar disa fakte të rejaqë krijojnë dyshimin për korrupsion.
Një pjesë e tyre u arrestuan në datën 8 dhjetor të vitit 2023, ndërkohë që disa të tjerë patën masa më të buta sigurie. Në kërkim u shpallën Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Erjon Murataj. Akuzat fillestare ishin për korrupsion, mashtrim, pastrim të parave dhe shpërdorim detyre.
Kujtojmë se së fundmi për të njëjtën çështje u lëshuan 8 urdhër arreste, por asnjëri prej tyre nuk u ekzekutua, ndërsa një nga veprat penale që u akuzuan ishte ajo e grupit të strukturuar kriminal.