Kjo periudhë është shoqëruar me shtim të rasteve të gripit tek moshat e vogla, të cilat kanë sjellë dhe shfaqjen e konjuktivitit tek fëmijët. Lajmi i mirë është se rastet janë thuajse të papërfishme sa i takon problemeve me sytë apo shfaqjes së gripit të syrit, ndërsa mjekët vënë theksin tek kujdesi i shtuar për gripin.
Shefi i shërbimit të pediatrisë, Robert Rado, thotë se gjatë kësaj periudhe, problem ka qenë temperatura e lartë tek fëmijët, e cila në rastet kur nuk mund të administrohet në kushte shtëpie, ai këshillon prindërit që t’i drejtohen mjekut të familjes apo urgjencës së Spitalit Rajonal në shërbimin e Pediatrisë.
Me situatën e krijuar, Radoja këshillon prindërit të kenë kujdes ndërsa jep disa këshilla për ta.
“Shmangia e ambienteve ku ka numër të madh njerëzish. Në rast se fëmija është sëmurë mos të dërgohet në shkollë, kopësht apo çerdhe. Dhënia e medikamenteve kundra temperaturës në vlera mbi 38.5. Kujdesuni që ta hidratoni fëmijën,” këshillon mjeku.
Sipas mjekut, shumica e rasteve nuk paraqesin situata serioze dhe kalojnë me mjekim ambulator në shtëpi, por shton se nuk duhet shmangur vizita tek mjeku në rastet kur temperatura e lartë zgjat më tepër se 3 ditë.