Lotët e Hamdi Alij, 63-vjeçarit nga Leshnica e Pogradecit nuk ndalen teksa sheh shtëpinë e shkrumbuar totalisht. Ishte një shkëndijë elektrike ajo që do të digjte shtëpinë e 63-vjecarit, i cili ndodhej brenda banesës së bashku me gruan dhe fëmijët.
Zjarri nuk iu dha mundësi që të nxirrnin asgjë nga shtëpia, ndërsa flakët ‘përpinë’ gjithçka. I moshuari tregon se i vetmi veprim i tij ishte që të shpëtonte nipin 5-vjeçar, djalin e sëmurë që i trajtohet me kemp dhe pjesën tjetër të familjes. Familja Alij nuk i reziston dot temperaturave të ftohta të këtij janari ndaj dhe ngushëllimin e vetëm e gjejnë në strehimin e përkohshëm tek të afërmit e tyre. Por kjo nuk është zgjidhje për familjen me 5 anëtarë dy prej të cilëve janë të sëmurë.
Me lot në sy 63-vjecari ju bën apel institucioneve për rikonstruksion të banesës pasi me të ardhurat e familjes nuk mbulohen as shpenzimet e ushqimeve. Zjarri në banesën e familjes Alij ra mbrëmjen e së premtes duke shkrumbuar totalisht gjithçka kishte kjo familje. Përtej skamjes dhe vështirësive të tjera që has kjo familje ajo çfarë kërkon sot është vetëm një çati mbi kokë.