1624 maturantë kanë rezultuar fitues në provimin pranues të zhvilluar një javë më parë pranë Universitetit të Mjekësisë, për të ndjekur ëndrrën e tyre drejt misionit të shenjtë të bluzave të bardha.
Nga ky numër i përgjithshëm studentësh, 500 prej tyre do të sudiojnë Mjekësi të Përgjithshme, ndërsa pjesa e mbetur ndahet midis degëve të tjera të Mjekësisë.
Sipas rektorit të ri të Universitetit prof. Xheladin Dracini, në total Mjekësia ka patur 20 mijë aplikime, teksa 7312 maturantë i janë nënshtruar provimit selektues pranë Universitetit, ndërsa janë përzgjedhur vetëm 1624 nxënës për të vijuar studimet në këto auditore.
Gjithashtu, rektori shprehet se në këtë Universitet vijnë më të mirët, pasi maturantët fitues janë ekselentë, me një mesatare të përgjithshme mbi 9.7.
“Kanë qenë 7312 maturantë që kanë zgjedhur degët e Mjekësisë me mbi 20 mijë aplikime në disa degë të saj, nga të cilët janë përzgjedhur vetëm 1624.
Në mjekësi vijnë më të mirët. Këtë e konfirmon edhe testimi i informatizuar i cili bën një tjetër selektim”,– tha rektori i ri i Universitetit, prof. Xheladin Dracini
Rektori konfirmoi, po ashtu se procesi i regjistrimeve, i cili ndahet në faza 48 orëshë, do të nisë në datën 30 gusht dhe do të zgjasë deri në 13 shtator.
“Në 28 është data e ankimimeve dhe në datë 30 nis procesi i regjistrimeve me faza 48 orëshe”,– përfundoi rektori, prof. Xheladin Drecini.
Megjithatë, vlen të theksohet se për studentët e Mjekësisë së këtij viti, nuk do të ketë një kontratë me shtetin, pasi ligji me ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese nuk ka kaluar ende për miratim në parlament.
Ligji i ri, i cili u propozua nga qeveria detyronte studentët që përfundonin Universitetin e Mjekësisë, që të ofronin shërbim shëndetësor në Shqipëri për një periudhë 5 vjeçare.
Projektligji për studentët e mjekësisë u miratua në Korrik të vitit të shkuar si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria. Por ky ligj ngjalli pakënaqësinë e studentëve, të cilët u hodhën në protesta për ta kundërshtuar.
Tabelë/ Pranimet në Universitetin e Mjekësisë
Dega Kuota pranimi Aplikime
Mjekësi e Përgjithshme 500 2034
Farmaci 110 2149
Shëndet Publik 30 530
Stomatologji 120 2448
Infermieri 380 2931
Fizioterapi 100 1915
Teknik Laboratori 100 2073
Teknik imazherie 110 2143
Mami 88 865
Logopedi 45 1164
Teknik dentar 35 1823
Higjenist dentar 70 799