Është shmangur tragjedia në fshatin Malinat në bashkinë e Poliçanit. Një automjet tip “Ford Fuoristradë”, në përpjekje për të kaluar lumin midis fshatit Mbrakull dhe Malinat, ka ngecur në ujë.
Rrymat dhe rrjedha lumit e kanë marrë fuoristradën përpara.
Mësohet se shoferi i mjetit ka mundur të dalë nga mjeti dhe me not ka dalë në breg për të kërkuar ndihmë, ndërkohë që dy shtetasit e tjerë që udhëtonin me të në mjet, Ilir Ballolli dhe Taulant Bakushi kanë mbetur të kapur mbi baxhën e makinës.
Pas sinjalizimit të marrë për ngjarjen në orën 02:30 të mëngjesit, në zonë kanë shkuar efektivë të shumtë të Repartit Zjarrëfikës të Beratit dhe efektivë të policisë, që kanë bërë të mundur shpëtimin e banorëve të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit Osum.
Dy shtetasit e bllokuar janë lokalizuar fillimisht nga zjarrëfikësit, që kanë hyrë në lumë me not, i kanë lidhur ata me litar dhe më pas kanë filluar tërheqjen e tyre nga uji.
Gjatë aksionit për shpëtimin e dy shtetasve, një efektiv i zjarrfikësve të Beratit ka rrezikuat seriozisht jetës, pasi rrymat e forta të lumit e kanë tërhequr drejt rrjedhës.