Pesë persona janë arrestuar në Tiranë pasi ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Ata janë kapur në flagrancë, në një lokal në rrugën “Irfan Tomini” dhe në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 kompjuterë, rreth 970 000 lekë dhe 160 euro.
Njoftimi i Policisë:
Goditen 2 raste të organizimit të lojërave të fatit, vihen në pranga 5 shtetas. Sekuestrohen 7 kompjuterë, rreth 970 000 lekë dhe 160 euro. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i kontrolleve në lokale dhe në ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game over” dhe kanë goditur 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit E. R., 27 vjeç, A. Z., 23 vjeç, R. K., 38 vjeç, G. M., 20 vjeç dhe U. H., 20 vjeç. Këta shtetas janë kapur në flagrancë, në një lokal në rrugën “Irfan Tomini” dhe në një lokal në bulevardin “Gjergj Fishta”, duke organizuar lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 kompjuterë, rreth 970 000 lekë dhe 160 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.