Elkier Hato, vëllai i Elton Hatos, i shpallur në kërkim për dosjen ‘Metamorfoza’ ka folur për një kontroll të dhunshëm që i është bërë banesës së tij, ku Policia i vrau njërin prej qenve dhe i plagosi tjetrin. Në një intervistë për News 24, Elkier Hato pretendon se në operacion kanë marrë pjesë më shumë se 50 forca policie, FNSH, por edhe një grup i RENEA-s, me qëllim kapjen e Elion Hatos, i cili nuk u gjet në banesë. Hato akuzon shefin e komisariatit të policisë së Shkodrës Idriz Daulle si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar qëllimisht familjen e tij.
39-vjeçari Elkier Hato thotë se efektivët kanë zhvilluar një kontroll të dhunshëm në banesë si asnjëherë më parë dhe sipas tij pa mandat kontrolli ndërsa kanë qëlluar me armë zjarri ndaj qenve në oborrin e shtëpisë në të cilën nuk ndodhej askush.
Elkier Hato thotë se është detyruar që të largohet nga ajo banesë për shkak se shpesh herë familja e tij është terrorizuar nga kontrollet e policisë. 39-vjeçari ka frikë se dikush nga efektivët që mund të jetë i paguar nga grupe kriminale mund ta vrasë në aksion e sipër ndaj nuk ka besim tek shteti.
Hato thotë se nuk e ka idenë se ku ndodhet vëllai i tij që është i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza” dhe shton se nuk dorëzohet pasi edhe i vëllai nuk ka besim tek policia. Në fund 39 vjeçari ka edhe një thirrje për shefin e komisariatit të Shkodrës.