Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku iu bën thirrje dhe lënë porosi për zbatim, të gjitha njësive qëndrore të policisë në qarqe kontrollin e imtësishëm të zonave qoftë të hapura apo të mbyllura ku dyshohet për kultivim dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Në porositë e tija, ai iu bën thirrje institucioneve për bashkëpunime më të ngushta me organet përgjegjëse në rang lokal, rajonal e kombëtar si dhe theksoi organizimin e kontrolleve tokësore e detare në pikat kufitare për të goditur trafikimin e drogës.
Rrumbullaku iu bëri me dije drejtuesve të policisë në qarqe se përgjeqësia është e tyre dhe shkon zinxhir për këdo që toleron ndaj veprimeve jo ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm, porosi të gjitha strukturave policore:
-Intensifikoni kontrollet në terren dhe në ambiente të mbyllura;
-Mblidhni informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
-Kontroll të përjavshëm të territorit, me grupe kontrolli dhe jo vetëm përgjegjësi e spz-ve, por e tërë strukturës policore në zonë;
-Organizoni grupe kontrolli të përbashkëta, me të gjitha institucionet që i ngarkon ligji;
-Kontrolle të imtësishme në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike;
-Intensifikoni bashkëpunimin me partnerët, në nivel vendor, rajonal dhe qendror, duke organizuar patrullime të përbashkëta, si në det ashtu edhe në tokë, për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare.
-Bashkëpunoni me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike.
-Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës;
-Organizoni takime masive, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave dhe qytetarët, me qëllim sensibilizimin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, për denoncimin e kësaj veprimtarie.