Në Shqipëri, diskutojmë shpesh për reformat në arsim, për kurrikula moderne dhe për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Megjithatë, një pyetje thelbësore mbetet ende pa përgjigje të qartë: a po i përgatisim realisht nxënësit për jetën? Një nga boshllëqet e dukshme të sistemit tonë parauniversitar është mungesa e edukimit financiar si pjesë e kurrikulës.
Shumica e të rinjve shqiptarë përballen shumë herët me vendime financiare që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre: emigrimi për arsye ekonomike, puna informale apo menaxhimi i të ardhurave familjare. Konkretisht, shkolla institucioni që duhet t’i pajisë me aftësi për jetën shpesh i lë të papërgatitur për këto realitete. Njohuritë financiare trajtohen në mënyrë sporadike dhe teorike, pa u lidhur me situata konkrete të jetës së përditshme.
Politikat arsimore flasin për zhvillimin e kompetencave, mendimin kritik dhe qytetarë aktive. Por pa edukim financiar, këto objektiva mbeten pjesërisht formale.
Mungesa e edukimit financiar nuk është vetëm problem individual, por shoqëror. Në një vend ku jo të gjitha familjet kanë mundësi të transmetojnë kulturë financiare, shkolla duhet të luajë rolin e barazuesit. Pa këtë ndërhyrje, sistemi arsimor rrezikon të thellojë hendekun mes atyre që “dinë” dhe atyre që thjesht mbijetojnë.
Për më tepër, Shqipëria synon integrimin evropian dhe përafrimin me standardet arsimore të vendeve të zhvilluara, ku edukimi financiar është pjesë e pandashme e kurrikulës. Vazhdimi i neglizhimit të kësaj fushe e mban arsimin tonë të shkëputur nga realiteti ekonomik dhe nga nevojat konkrete të të rinjve.
Është koha të pranojmë se edukimi financiar nuk është luks dhe as temë dytësore. Ai duhet të jetë pjesë e qartë dhe e strukturuar e arsimit parauniversitar, qoftë si lëndë më vete, qoftë si modul ndërkurrikular i detyrueshëm. Kjo kërko trajnim të mësuesve dhe bashkëpunim me institucione financiare dhe shoqërinë civile.
Në fund të fundit, nëse duam një brez që të mos largohet nga vendi vetëm nga pasiguria ekonomike, atëherë duhet të fillojmë nga shkolla. Edukimi financiar është një investim i vogël në kurrikulë, por një hap i rëndësishëm për të ardhmen e brezit të ri.






