Pasuritë e paluajtshme në rastet e dhurimit, heqjes dorë apo trashëgimisë do të përjashtohen nga tatimi 15 % për rastet brenda lidhjes gjinore, motër dhe vëlla, por jo ndaj kushërinjve të parë.
Udhëzimi i për përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë së Kadastrës Shtetërore “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme” në zbatim të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, nëpërmjet shembujve përcakton se nëse një pasuri e paluajtshme dhurohet nga 1 individ te kushëriri i tij i parë do të taksohet 15%.
Nga taksimi 15% do të vijojnë të përjashtohen dhurimet dhe trashëgimitë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme te trashëgimtarët e radhës së parë dhe të dytë. Ndërsa pasuritë e paluajtshme e trashëguara apo dhuruara te trashëgimtarët përtej radhës së parë dhe të dytë të përcaktuara në Kodin Civil, nuk do të tatohen deri në vlerën 5 milionë lekë.
“Përjashtohen nga tatimi i të ardhurave nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme: a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;
b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5,000,000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme;
c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar”, citohet në udhëzim.
Udhëzimi përcakton se për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit dhe trashëgimisë, sipas dispozitave të kreut VI të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ose heqjes dorë nga e drejta e pronësisë në dobi të një të treti apo të bashkëpronarëve të tjerë, kur transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
Gjithashtu raporti i vlerësimit për pasurinë e dhuruar apo hequr dorë prej saj nuk është detyrues për t’u paraqitur në dokumentacionin për kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme nëpërmjet dhurimit, apo heqjes dorë. Sipas udhëzimit vlera e pasurive e pasqyruar në këto raporte, si dhe në kontratat e dhurimit apo shkëmbimit, nuk është referuese për llogaritjen e fitimit kapital të realizuar.