Një efektiv është arrestuar pasi dyshohet se është përfshirë në trafikun e drogës pas oferacionit të antidrogës mbrëmjen e së enjtes (21 mars) në kryeqytet ku mbeti i plagosur Enea Sulejmani. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se është ndaluar efektivi Ervis Shkurta, i cili mësohet se ka lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar.
Dyshohet se polici 38 vjeçar ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, që u gjet brenda në mjet, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike. Ai u arrestua si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Operacioni antidrogë
Tre të rinjtë, 20-vjeçari Ilgi Begaj, 26-vjeçari Shkëlqim Ostreni dhe Enea Sulejmani dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin kokainën tek vendi ku u kapen nga agjentet e antidrogës. Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar.
Shoferi ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë. Gjate tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili u dërgua menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në automjet tip është konstatuar një pako me 1 kg kokainë. Pas operacionit policor, tre të rinjtë u arrestuan nga policia.