Një sherr banal ka ndodhur në Peshkopi ku disa të rinj janë konlfliktuar me armë zjarri.
Sipas forcave blu Ardit Aldedja, 33 vjeç, është shpallur në kërkim pasi tentoi të vriste me armë një person, pas një sherri banal. Sakaq, shpallen në kërkim edhe Klement Aldedja, Indrit Belba, Xherdan Korimani, pasi ndihmuan 33-vjeçarin të largohej pas ngjarjes.
Sakaq, është arrestuar në flagrancë Agron Muça për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Peshkopisë, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri një shtetas tjetër me të cilin ishte konfliktuar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit dhe për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
A. A., 33 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale ‘Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë;
K. A., 28 vjeç, I. B., 23 vjeç dhe Xh. K., 20 vjeç, të tre banues në Peshkopi, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi A. M., 30 vjeç, për veprën penale ‘Moskallëzimi i krimit”. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. A., pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasin S. A., 20 vjeç, banues në Peshkopi.
Pas ngjarjes, shtetasi A. M. (tashmë i arrestuar), së bashku me shtetasit K. A., I. B. dhe Xh. K. (të shpallur në kërkim), kanë ndihmuar shtetasin A. A. që të largohej nga vendi i ngjarjes, duke e marrë në automjetin e tyre. Vijon krehja e zonës nga shërbimet e Policisë, me qëllim kapjen e shtetasit A. A. dhe të 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.”-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.