Rruga e Qumështit ka lënë “zemrën e saj të vjetër” brenda konstelacionit të Shigjetarit, raportojnë astronomët. Të dhënat e reja nga anija kozmike Gaia zbulojnë shtrirjen e plotë të asaj që besohet të jetë bërthama primordiale e galaktikës, grupi i lashtë i yjeve nga i cili u ‘shfaqën’ edhe pjesa tjetër e Rrugës së Qumështit, e cila u bashkua më shumë se 12.5 miliardë vjet më parë.
“Njerëzit kanë spekuluar prej kohësh se duhet të ketë kaq shumë yje të vjetër në qendër të ‘Rrugës sonë të Qumështit’, ” tha astronomi Hans Walter Rix i Institutit Max Planck.
‘Zemra e vjetër’ e Rrugës së Qumështit është një protogalaktikë e rrumbullakët që shtrihet rreth 18,000 vite dritë larg dhe posedon afërsisht 100 milionë herë masën e diellit tonë, ose rreth 0.2 për qind të masës aktuale yjore të Rrugës së Qumështit, raportojnë Rix dhe kolegët në një studim.
“Ky studim vërtet ndihmon për të forcuar të kuptuarit tonë në këtë fazë shumë, shumë, shumë të re mbi ‘jetën’ e Rrugës së Qumështit,” thotë Vasily Belokurov, një astronom në Universitetin e Kembrixhit. “Nuk dihet shumë për këtë periudhë të Rrugës së Qumështit,” thotë ai.
Të dhënat e reja mbi protogalaktikën kapin madje edhe rrotullimin fillestar të Rrugës së Qumështit, kalimin e saj nga një objekt që nuk u rrotullua në një që rrotullohet tani. Yjet më të vjetër në Proto-Rrugën e Qumështit mezi rrotullohen rreth qendrës së galaktikës, por ama zhyten brenda dhe jashtë saj, ndërsa yjet pak më të rinj tregojnë gjithnjë e më shumë lëvizje rreth qendrës galaktike.