Një fenomen i rrallë po ndodh këtë vit në Shqipëri, pasi vetëm në tremujorin e parë të vitit 2023 numri i lindjeve ka rënë me 17%, niveli më i ulët ndër dekada në vendin tonë. Në krahasim me lindjet numri i vdekjeve ka qënë i lartë, megjithëse pas mbarimit të pandemisë ka rënë ndjeshëm.
Sipas statistikave të Instat bëhet me dije se për tremujorin e parë të këtij viti numri i lindjeve është 5.164, duke shënuar një rënie drastike me 16.9% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022. Sipas këtyre statistikave ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor që pas viteve 90-të.
Në një mesatare 8-10 mijë lindje në tremujor që ka patur në vitin 2011, në vitin 2022 për herë të parë treguesi ra nën 6 mijë lindje në 2022-in, duke reduktuar kështu më tej afër 5 mijë në muajt e parë të vitit aktual që ndodhemi.
Mbarimi i pandemisë ka ulur ndjeshëm numrin e vdekjeve, duke iu rikthyer niveleve të para pandemisë. Sipas statistikave numri i vdekjeve është 5.557, duke shënuar një rënie prej 31,6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.
E megjithëse numri i vdekjeve ra ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2023 regjistrohen 393 vdekje më shumë se sa lindje. Shtesa natyrore u kthye negative për herë të parë në historinë e vendit gjatë përiudhës së pandemisë për shkakun e rritjes së ndjeshme të jetëve të humbura nga pandemia duke u rikthyer sërish pozitive në vitin 2022.