Çmimet e ujit për pesë bashki të tjera në vend janë rishikuar. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) miratoi tarifat për ato njësi që përfshihen në ndërmarrjen rajonale të Durrësit ku bëjnë pjesë bashki të tilla si: Durrësi, Shijaku, Kruja, Rrogozhina e Kavaja.
Në disa raste tarifa për familjarët është lënë e pandryshuar e në të tjera ajo është rritur në varësi të bashkisë dhe të hapësirave që duket se është parë e arsyeshme pas aplikimit që është bërë nga ujësjellësi. Vendimi hyn në fuqi më datë 15.6.2024 dhe është i vlefshëm deri më 31.12.2026.
Por si kanë ndryshuar konkretisht çmimet për familjarët, institucionet dhe bizneset në këto Bashki sipas vendimit te ri?
Konkretisht për furnizimin me ujë familjarët në Durrës e Shijak sot paguajnë 70 lekë/m3 dhe po kaq është lënë edhe çmimi i ri që do të jetë në fuqi deri ne fund te 2026-ës. Sa i takon institucioneve publike ERRU ka vendosur që çmimi i tyre për furnizimin me ujë në këto bashki të jetë 16.6 për qind më i lartë sesa çmimi i vjetër. Për privatët apo bizneset në Durrës dhe Shijak çmimi i ujit do të rritet me 7.7 për qind krahasuar me çmimin aktual.
Në Kavajë çmimi i furnizimit me ujë për familjet sipas vendimit të ri parashikohet të rritet me 31.5 për qind. Nga 30 lekë/m3 ata do të paguajnë 50 lekë m3. Institucionet publike nga ana tjetër do të paguajnë një çmim 75 për qind më të lartë se çmimi aktual kurse bizneset e kësaj bashkie kanë një rritje me 40 për qind të tarifës së ujit.
Në Krujë çmimi i ujit për familjarët parashikohet të rritet me 34 për qind ku nga 35 lekë/m3 do të paguajnë 48 lekë/m3. Për institucionet publike çmimi do të rritet me 20 për qind ndërsa për bizneset në këtë Bashki nuk parashikohet të ketë rritje çmimi dhe do të vijojnë të kenë atë aktual që është 100 lekë/m3.
Bashkia e fundit është ajo e Rrogozhinës ku sipas vendimit të ERRU për familjarët parashikohet që furnizimi me ujë të mos ketë ndryshim. Ata do të vijojnë të paguajnë 48 lekë/m3 aq sa paguajnë edhe sot. E njëjta është do të ndodhë edhe me bizneset që do të vijojnë të mbajnë tarifën 100 lekë/m3 që është në fuqi. Institucionet publike do të paguajnë një tarifë të rritur me 6.6 për qind dhe nga 90 lekë/m3 do të paguajnë 96 lekë/m3.
Më herët ERRU miratoi çmime të rishikuara për disa ndërmarrje në vend që përfshijnë bashki të tilla si Fieri me Roskovecin dhe Mallakastrën apo Vlora me Lezhën ku kjo e fundit përfshin edhe Kurbinin, Rrëshenin, Rubikun./monitor