33- vjeçari Arbër Mehmeti ka rënë në prangat e policisë Fier pasi ka rrëmbyer e mbajtur peng për dy muaj me rradhë një 24- vjeçare. Ai detyronte të renë të ushtronte prostitucion në hotele e banesa me qira.
Tashmë janë arrestuar edhe tre persona të tjerë të cilët kërcënonin e dhunonin në bashkëpunim 22- vjeçaren duke e detyruar të prostituonte me klientët e tyre.
NJOFTIMI I POLICISE:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imponimi”, me qëllim lokalizimin dhe prangosjen e autorit të dyshuar kryesor, të një rasti të shfrytëzimit për prostitucion, si dhe me mbështetje nga inteligjenca informative, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga brenda tre ditësh nga shpallja në kërkim, shtetasin:
-A. M., 33 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Nga hetimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imponimi”, të zhvilluar tre ditë më parë, rezultoi se 33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetase tashmë të arrestuara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, për një periudhë dymujore, në banesa me qira dhe në hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.