Gjatë seancës gjyqësore, polici i RENEAS Altin Morina ka pretenduar se paratë që iu gjetën në makinë i ka të justifikuara dhe sipas tij i përkasin një biznesmeni, të cilit ia kishte marrë borxh, për të cilat do të paraqitet dokumentacion.
Në seancë ka treguar edhe emrin e biznesmenit, që sipas tij i ka marrë paratë për problemet e tij personale. Bëhet fjalë për një biznesmen ndërtimi.
“Lekët i mora 20 minuta para tek një biznesmen dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj, i kam për arsye familjare. Nuk vijnë si produkt i veprimtarisë kriminale”, është shprehur Morina.
Nga tre akuzat që ishin fillimisht në ngarkim të 43-vjeçarit, ajo e shpërdorimit të detyrës ka rënë dhe akuzohet vetëm për “pastrim të produkteve të veprës penale” ose “veprimtarisë kriminale dhe fshehje të të ardhurave”.
Sëbashku me sasinë prej më shumë se 100 mijë eurove, Altin Morinës iu gjetën edhe 4 aparate celular në makinë, të cilët u sekuestruan.
Pavarësisht qëndrimit të tij mbi origjinën e parave, policia vazhdon të kryej verifikime për transaksionet bankare të Morinës dhe familjarëve të tij.
Polici Morina ka qenë i arrestuar dhe në 3 janar 2015 në zonën e “Kodrës së Diellit”, atëherë efektiv i FNSH, teksa shërbente gjatë turnit të tretë si truprojë në një lokal nate, ku së bashku me disa kolegë të tij kishin dhunuar një klient dhe kishin kundërshtuar policinë.