Sipas planeve të qeverisë britanike, ligji për sigurinë në internet do përdoret për të detyruar kompanitë e mediave sociale, që të luftojnë në mënyrë proaktive “trafikanatët e TikTok-ut” ose përndryshe do përballen me gjoba deri në 10 përqind të të ardhurave vjetore.
Por organizatat e mbrojtjes së refugjatëve dhe aktivistët e fjalës së lirë, argumentojnë se kjo mund të çojë në censurë, ndaj publikimeve që nxjerrin në pah vështirësitë e njerëzve, që kërkojnë azil në Britani.
Platforma Tik Tok, sipas The Guardian teë Londrës thekson se ka hequr në mënyrë proaktive videot që promovojnë kalimet ilegale të emigrantëve në La Mansh.
E ndërsa grupet pro-emigrantëve thonë se askush nuk i bën këto kalime për shkak të videove në Tik Tok, ç’ka është deri diku e debatueshme dhe jo aq e vërtetë, zëdhënësi i Home Office Ministrisë së Brendshme dhe Emigracionit, thekson se ligji nuk do ketë ndikim në postimet humanitare apo gazetareske në lidhje me emigrimin ilegal dhe teknikisht nuk përbën vepër penale.
Edhe pse nuk i përmendin me emër, përgjithësisht kanë qenë trafikantët shqiptarë ata që kanë qenë më të zellshmit në publikimin e videove të tyre në Tik Tok, ata që kanë reklamuar kalimet dhe ofertat për kalimet e muajve të fundit në La Mansh.
Janë këto video që për nga natyra janë cilësuar si një autogol nga emigrantët shqiptarë, të cilët janë shfrytëzuar nga mediat dhe politikanë të ndryshëm britanikë në fushatën e tyre kundër afro 13 mijë emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur në Britani, nga afro 47 mijë emigranteve që kanë kaluar me gomone ngushticën e La Manshit drejt brigjeve angleze.