Në operacionin e fundit të koduar “Kontigjenti”, në Shkodër, është arrestuar 22 vjeçari Bajram Curraj dhe shpallur në kërkim 22 vjeçari tjetër Toni Preka.
Dy të rrinjve nga kontrollet policore në lagjen “Liria” iu është gjetur një sasi lënde narkotike kanabis dhe armë tip pistoletë.
Shoferi Tonin Preka ka mundur t’i shpëtojë policisë, duke përfituar nga errësira dhe është larguar. Policia vijon punën për kapjen e autorit.
NJOFTIMI:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontigjenti”. Sekuestrohen armë dhe drogë.
Lëvizte si pasagjer në një automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 22-vjeçari.
Shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit, pasi shërbimet e Policisë gjetën në këtë automjet, një sasi lënde narkotike kanabis.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që lëviznin me automjet, me sende të kundërligjshme me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kontigjenti”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi B. C., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. P., 22 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Në lagjen “Liria”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi T. P. dhe ku ishte pasagjer shtetasi B. C. Shtetasi T. P. ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve të Policisë. Vijon puna intensive, me qëllim kapjen e tij.
Ndërkaq, gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj shtetasit B. C. dhe në automjet, shërbimet e Policisë gjetën në çantën e 22-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë, ndërsa në automjet gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime te metejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.