Kreu i partisë opozitare greke SYRIZA, Stefanos Kasselakis ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi, ku ka hedhur për herë të parë idenë e futjes së gjuhës shqipe në sistemin arsimor grek. Duke marrë në shqyrtim raportin mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, Kasselakis ka thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të avancojnë, nisur nga kreativiteti dhe sipas tij tema e zgjedhjes së një gjuhe të dytë të huaj nga nxënësit në shkollat greke është një prej tyre.
“Këtu në Greqi nuk e kemi shqipen si gjuhë të zgjedhur”, tha Kasselakis, duke përqafuar idenë e shqipes si gjuhë e dytë. Por edhe kjo ide e liderit të opozitës greke është e kushtëzuar, pasi sipas Kasselakis një metodë e ngjashme duhet të ndiqet nga Shqipëri.
“Ashtu si Shqipëria duhej të kishte greqishten si gjuhë të zgjedhur. Në të gjithë territorin e Shqipërisë“, deklaroi ai.
Megjithatë, siç theksoi ai problematikat me të cilat përballet Komuniteti Shqiptar në Greqi janë të mëdha dhe si rrjedhojë e kësaj vitet e fundit është shtuar pasiguria që jetojnë çdo ditë anëtarët e tij. Kasselakis kritikoi edhe ligjin e fundit të emigracionit për vendet e treta që Demokracia e Re e kryeministrit Mizotakis kaloi në Parlament, duke thënë se “nuk mund të flitet për rinovim të lejeve 3 vjeçare të punës, kur aplikimi specifik merr 2.5 vite për t’u pranuar”. “Këta njerëz me të cilët jetojmë në të njëjtin vend i vendosim në një situatë pengu”, vuri në dukje Kaselakis.
Ndërkohë, zv-shefi i Politikës së Migracionit të SYRIZA, George Psychogios kujtoi po ashtu se ishte qeveria SYRIZA, e cila në vitin 2015 ligjëroi shtetësinë e emigrantëve të brezit të dytë dhe ndërhyrje të tjera që kishin të bënin me aksesin në fondet e sigurimeve. “Ne kemi lidhje historike me komunitetin shqiptar. Shtrëngimi i këtyre lidhjeve, të dy popujve tanë, vetëm sa mund të na bëjë më të fortë dhe më me ndikim në rajon dhe më gjerë në Evropë”, theksoi kryetarja e Departamentit të Politikave të Emigracionit të SYRIZA, Nina Kasimati.