Janë shtuar tensionet mes Kinës dhe Kanadasë. Kjo vjen si rrjedhojë pasi të hënën, Kanadaja e shpalli diplomaten kineze Zhao Wei “persona non grata” dhe e urdhëroi atë të largohej nga vendi.
Si përgjigje, Kina urdhëroi të martën largimin e Jennifer Lynn Lalonde, diplomate kanadeze në Konsullatën e saj në Shangai.
Kanadaja e kishte akuzuar Kinën se kishte vënë në shënjestër ligjvënësit e saj opozitar Michael Chong dhe të afërmit e tij në Hong Kong, pasi zoti Chong akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut.
Të enjten e kaluar, Kanadaja thirri ambasadorin e Kinës për ti bërë me dije se Kanadaja nuk do të toleronte ndërhyrjen në punët e saj.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly të hënën e shpalli Zhao një “persona non grata”, një frazë latine për një “person të padëshiruar”.
Kina e quajti masën “të paskrupullt” dhe deklaroi të njëjtën gjë për zonjën Lalonde – duke thënë se ishte një “kundërmasë reciproke”.
Lëvizja nga Otava vjen pas një raporti të inteligjencës kanadeze, që akuzonte Zhao se ishte i përfshirë në mbledhjen e informacionit për zotin Chong, 51 vjeç, pas kritikave të tij të zëshme ndaj trajtimit të Kinës ndaj popullsisë së saj të pakicës ujgure.
Ai gjithashtu tha se agjensia e spiunazhit të Kanadasë beson se Kina ka kërkuar detaje për të afërmit e zotit Chong në Hong Kong, në një përpjekje për të penguar “pozicionet anti-kineze”.
Politikani paraqiti një mocion në parlament në vitin 2021 që e shpalli trajtimin e Kinës ndaj ujgurëve një gjenocid. Kina i ka mohuar akuzat dhe ka sanksionuar zotin Chong menjëherë pas kësaj.
Zonja Joly tha të hënën se Kanadaja “nuk do të tolerojë asnjë formë të ndërhyrjes së huaj në punët tona të brendshme” dhe se vendimi për dëbimin e diplomatit ishte “marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjithë faktorëve në lojë”.
Agjencia kanadeze e spiunazhit është urdhëruar që të transmetojë menjëherë informacione rreth kërcënimeve ndaj anëtarëve të parlamentit dhe familjeve të tyre.
Kina javën e kaluar akuzoi Kanadanë për “shpifje” mbi pretendimet se Pekini kishte në shënjestër zotin Chong dhe familjen e tij.
Z. Chong, një konservator, ka kritikuar liberalët qeverisës për keqpërdorimin e çështjes dhe të hënën tha: “Nuk duhet të ishin dashur dy vjet që qeveria të merrte këtë vendim”.
Akuzat vijnë mes raporteve të tjera të inteligjencës, të zbuluara në mediat kanadeze, që kanë akuzuar Kinën për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet kanadeze.
Në mars, kryeministri kanadez Justin Trudeau shpalli një raportues special të pavarur për të hetuar pretendimet për ndërhyrje.