Marshimet tradicionale të Pashkëve në Gjermani këtë vit zhvillohen nën hijen e luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Politikanë gjermanë vlerësojnë dëshirën për paqe, por paralajmërojnë nga naiviteti para Putinit. Në të gjithë Gjermaninë pjesëmarrësit në marshimet tradicionale të Pashkëve edhe këtë vit duan të dërgojnë një sinjal për paqen dhe kundër luftës.
Dita kryesore e marshimeve tradicionale është e shtuna e pashkëve, ku janë paralajmëruar rreth 70 marshime për paqen në Gjermani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) me rastin e ditëve të Pashkëve e rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen gjermane për Ukrainën dhe e argumentoi atë me interesat gjermane të sigurisë. Edhe zëvendëskancelari, Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), dhe kreu i partisë në opozitë, CDU, Friedrich Merz kanë publikuar mesazhe për Pashkët.
Në një mesazh me video, kancelari, Olaf Scholz tha se “ne të gjithë e dëshirojmë një botë më paqësore”. Por paqja pa liri do të thotë shtypje. Paqe pa drejtësi nuk ka. “Prandaj ne e mbështesim Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Ne e bëjmë këtë edhe për ne, për sigurinë tonë.” Scholz akuzoi Rusinë nën presidentin Putin, se ka shkelur një parim të vlefshëm prej dekadash: që kufijtë nuk ndryshohen me dhunë. “Por ne e kemi në dorë, ta ribëjmë të vlefshëm këtë parim. Duke e mbështetur Ukrainën edhe më tej, të vendosur e me maturi.”