Pas 6-vitesh në krye të saj, Dorian Koçi nuk është më drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Këtë të shtunë ai ka dhënë dorëheqjen.
Historiani Dorian Koçi ka lënë detyrën në këtë institucion për të filluar një tjetër rrugëtim pranë Akademisë së Shkencave.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka vlerësuar punën dhe bashkëpunimin me të.
“Bashkëpunëtori ynë prej vitesh mbyll një kapitull profesional, për të nisur një të ri. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi lë detyrën në krye të këtij institucioni, për të filluar një tjetër rrugëtim pranë Akademisë së Shkencave. Falënderime për punën e përkushtuar gjatë viteve të vështira, që nga tërmeti, te pandemia e rikonstruksioni i MHK dhe suksese në detyrën e re”, shkruan Margariti.
Me mandat të përfunduar prej shkurtit të vitit 2022, studiuesi Dorian Koci ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Muzeut Kombëtar, ndërsa mësohet se është emëruar Shef i Marrëdhënieve me Jashtë në Akademinë e Shkencave.
Ndërkohë, institucioni që është në proces ndërhyrjesh restauruese do të menaxhohet nga Entela Çipa, si drejtore e komanduar.
Koçi u emërua në këtë post në shkurt të vitit 2017, dhe ishte i pazgjedhur me konkurs, por i komanduar pas shkarkimit të ish-drejtorit Melsi Labi.
Aktualisht nuk ka një plan të afërt për rihapjen e thirrjes për drejtor Muzeu.