Lajmërimi për atë që mund të kishte përfunduar në një vrasje, e që aktualisht po i rrezikon jetën 26-vjeçari Enea Themollarit u dha në “TikTok”! E dashura e të penduarit të drejtësisë Amarildo Nikollit, Xhovana Nikolli i kërkoi publikisht të penduarit tjetër të drejtësisë Nuredin Dumanit që të kontrollonte të dashurën e tij, duke ngritur disa pikëpyetje lidhur me atë që ka ndodhur.
Edhe pse nga Lezha, e reja, bashkë me të motrën e saj duket se ishte vendosur që të jetonte me qera në Elbasan, por vazhdonte “luftën” në të cilën e kishte përfshirë jashtë i dashuri i saj. Amarildo Nikolli pret dënimin për një tentativë vrasje, ndërsa jashtë e dashura përballet me kundërshtarët e tij. Të paktën kështu ka deklaruar disa herë në disa dalje televizive që ka pasur.
Një muaj më parë, në paraqitjen e saj në “Kojshia Show”, Xhovana zbuloi se është kërcënuar për shkak të përfshirjes të së dashurit të saj në botën e krimit, por kërkoi që të mos jepte më detaje.
BISEDA ME MODERATORIN:
Kërcënime a ke pasur meqë je e dashura e Amarildos?
– Nuk kisha pas qejf me i prek këto tema!
A ke pasur apo jo?
-Po edhe kemi pasur!
Kështu që shpesh herë, ka dhënë mesazhe në rrjetet e saj sociale, siç ishte edhe rasti i fundit ku thirrjen ia drejtonte Nuredin Dumanit, por është e paqartë sesi mesazhi mund të përcillej. Aktualisht, Nuredin Dumani ndodhet brenda në burg dhe po ashtu pret dënimin e tij pasi hapi “kutinë e pandorës” për botën e krimit në Shqipëri duke rrëfyer një sërë ngjarjes kriminale që kanë tronditur vendin. Por, po ashtu, është e paqartë sesi lidhet Amarildo Nikolli me Dumanin, e po ashtu, edhe të dashurat e tyre. Teksa Policia heton këtë lidhje mes tyre, vetë Xhovana duket se nuk ka agjë për të thënë në Komisariatin e Elbasanit. E reja kërkon të shkojë “më lart”.
Teksa tentuan ta merrnin në pyetje, e reja është shprehur se shpjegime do t’i japë vetëm Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi, sipas saj, problemi është i madh! Megjithatë, pretendon se derisa ta marrë në pyetje SPAK, do vazhdojë të heshtë.
Ndërkohë nga e gjithë kjo përplasje, deri tani e pakuptimtë mes të dashurave të “të fortëve”, i lënduar ka mbetur një i ri krejt i pafajshëm. Enea Themollari ka marrë dëmtime të rënda në kokë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë dhe po lufton për jetën e tij.