Projekti ‘Vlora Marina’ që po zhvillohet nga biznesmeni Samir Mane, në qytetin bregdetar, do të lërë pa shtëpi rreth 20 familje në qytetin e Vlorës, të cilëve do t’iu shemben banesat. Një pjesë e tyre kanë dalë në protestë pak ditë më parë, pasi shprehen të pakënaqur me shumën e dëmshpërblimit që do të marrin nga Bashkia e Vlorës.
Banesat e tyre janë llogaritur me një shumë prej rreth 500 eurosh metri katror, në një kohë që apartamentet në Vlora Marina, kanë nisur të rezervohen ende pa u ndërtuar, me një shumë katërfish më të lartë. Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe kanë kërkuar takim me kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha. Ata shprehen se me dëmshpërblimin që iu është premtuar, rreth 25 milionë lekë të vjetra, e kanë të pamundur që të blejnë një banesë të re.
Për këtë ata kërkojnë që të dëmshpërblehen me banesa të reja, edhe në zona të tjera të qytetit të Vlorës, ku është ndërtuar nga bashkia, dhe jo me para cash. Banesat në fjalë, në shumicë janë me dokumentacion të rregullt, dhe prishja e tyre bëhet përkundrejt projektit të ri që po ndërtohet nga biznesmeni Mane.
Disa nga rrëfimet e banorëve:
-Na kanë nxjerrë një kod 520 mijë lekë, ndërkohë që këtu po ndërtohen apartamente me vlerë 2 mijë euro metri katror. Ne ku do vemë me këto lekë? I lutemi kryeministrit që të vijë dhe ta shohë personalisht, jo siç erdhi herën e parë, që thoshte si burgaxhi i vjetrër, ë çfarë keni ju. Jemi familje që kemi 60-70 vite këtu, ku do të shkojmë ne me 26 milionë lekë. Të na japin shtëpi, nuk kemi pretendime. Këta janë të fortët, ne nuk jemi të fortë.
-Kemi 3 vite që janë bombarduar shtëpitë me eskavatorë, janë bllokuar kanalizimet, ujërat, një pjesë kanë ikur, me qera. Se kur do ndreqet kjo punë, nuk jemi ndjerë, se nevojtarë jemi, bashkia thotë që do na prishen, por se kur prishen nuk e dimë. Edhe ata të Bashkisë të hutuar janë, se sorrollaten nga firmat, vajti 3 vite kjo punë. Një pjesë që zë rruga, do paguhen sipas standardeve që janë. Ne kërkojmë shtëpi, çfarë do blejmë ne me ato para që na jep bashkia? I lutemi shtetit që të na shikojë, ne kundra shtetit nuk jemi, por more shtëpinë., më kthe shtëpinë. Me aq lekë nuk blejmë dot një banjë.
-Na erdhën na thanë që do na kalojnë lekët, dhe duan të na nxjerrin me pahir nga shtëpia. Kërkoj nga kryetari i bashkisë, që as nuk na pret në zyrë, në momentin që do marrim lekët, të vijnë dhe ta prishin shtëpinë. Përballë nesh po bëhet pallati me 5 fishin e vlerës që na është llogaritur ne shtëpia, nuk kemi më fuqi që të merremi.
-Problemi i parë, ne jemi dakord me punimet publike, por kërkojmë vlerësimin me vlerën e tregut, në të kundërt të na japin shtëpi.
-Nuk jam as serbe dhe as greke, nuk e ka problem shteti që të na japë 10 shtëpi, unë jam pa certifikatë farë. Ma merr mendja që jam serbe unë, i kam bërë të gjitha ato që më janë kërkuar nga shteti, kam 57 vite që jetoj këtu, dhe unë jam pa certifikatë.