Fshati i vogël i qytetit të Ferizajt në Kosovë, Bibaj, u trondit dje nga një vrasje e cila bëri bujë për mënyrën dhe në vendin e pazakontë ku ndodhi, duke ngritur shumë pikëpyetje.
Një zyrtar policie që ekzekuton me armë zjarri një të moshuar gjatë një ceremonie dasme. Sipas autoriteteve kosovare, Besim Ramadani, ka ekzekutuar 80-vjeçarin Sadri Sadriu.
Në njoftimin e shpejtë të dhënë nga policia vendase arsyet e këtij krimi në një moment ku duhet të ishte festë për të gjithë të pranishmit, mbeten ende të pazbardhura.
Oborri i ambjentit ku martohej nipi i viktimës, u përgjak duke tmerruar dasmorët, në një ngjarje të mbuluar nga misteri.
“Fillimisht dua t`ju informoj se polici nuk ka qenë në detyrë zyrtare. Ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile, kur ka kryer këtë vepër para këtij lokali. Fatkeqësish vrasja u krye me armë zyrtare, është një lloj arme e gjatë por jo kallashnikov.
Deri tani është arrestuar personi i dyshuar, jemi duke marrë informacione të tjera sa i përket dëshmitarëve, me këtë rast po merret Inspektoriati Policor dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj. Fatkeqësisht nuk dihen ende motivet.
Zyrtari policor nuk ka qenë pjesë e dasmës, ka qenë jashtë dasmës,” tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Qazim Reka.
Lajmi mori akoma më shumë jehonë kur u mësua se viktima është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
Teksa pritet të hidhet dritë mbi këtë ngjarje, i pari që ka aluduar mbi atë çfarë mund të ketë ndodhur është gazetari Berat Buzhala.
Sipas këtij të fundit, mund të kemi të bëjmë me një rast pedofilie të ndodhur shumë vite më parë.
Buzhala flet për rrëfimin që i njohur i tij në Perëndim i ka bërë lidhur me një përdhunim të një vajze kur ajo ishte 10-vjeçe, por dhunuesi duket se nuk është dënuar për shkak të lidhjeve të forta politike.
“Para dy viteve nje person qe jeton ne Perendim ma ka tregu nje rast te tmerrshem qe i ka ndodhe bashkeshortes se tij ne Lugine te Presheves.
Nje monstrum pedofil e kishte dhunu ate, dhe jo vetem ate, kur ajo i ka pase vec 10 vjet. Dikund ne mal. Pata komuniku edhe me viktimen.
Dhunuesi kishte dale me lidhje te fuqishme politike. Sido qe te jete kunder dhunuesit ka kallxim penal ne Serbi, te cilin e posedoj, por kurgjo nuk eshte ndermarre kunder tij.
Ka lidhje me zhvillimet e nates se sontshme,” shkruan Buzhala, i cili paralajmëron gjithashtu për dokumenta trondëtise lidhur me ngjarjen.
Ky mund të jetë një nga rasta kur mungesa e forcës së ligjit sjell vetëgjyqësi