Një rrjet prostitucioni që drejtohej nga një 52-vjeçare kineze në mes të Tiranës, është zbuluar nga policia.
Grtuaja akuzohet se rekrutonte vajza nga shtetet aziatike dhe më pas i shfrytëzonte për prostitucion në kryeqytetin shqiptar.
Në kuadër të operacionit “Red light 2”, policia ka shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtoren e saj po nga Kina, 38 vjeçe.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja kineze Y. Y., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 90 të Kodit Penal. U shpall në kërkim shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy “tutoret” nga Kina me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë psikologjike ndaj vajzave që shfrytëzonin për prostitucion dhe presion ndaj familjarëve të tyre.
Policia ka zbuluar se shtetasja kineze me inicialet N.D., falë shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15.000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
Në cilësinë e provës materiale, uniformat blu kanë sekuestruar 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetase nga Azia për ushtrim prostitucioni.