Ngjarja horror e ndodhur në azilin e të moshuarve në Tiranë ka çuar në pranga dy infermieret, por ka ngjallur edhe një sërë dyshimesh hetimore në lidhje me aktin e dy grave të arrestuara.
Policia e Tiranës njoftoi ditën e djeshme se dy gratë përgjegjëse në turnin e natës janë vënë në pranga nën dyshimin se me veprimet e tyre kanë tentuar jo vetëm të fshijnë gjurmët e krimit, por madje edhe të fshehin ngjarjen. Të arrestuarat kanë mohuar në polici dhe para grupit hetimor që e kanë bërë me qëllim të tillë aktin makabër të dërgimit të trupit të pajetë në agjencinë funerale, duke pretenduar se ai kishte rënë nga krevati, ndonëse të dyja janë në profesion infermiere dhe lehtësisht mund t’i dallonin shenjat e dhunës barbare mbi trupin e të ndjerit.
Referuar të dhënave nga prokuroria bëhet me dije se janë sekuestruar në vendin e ngjarjes një mori provash, aparate celulare dhe janë marrë një sërë dëshmish, pasi dyshimet bien mbi persona të tjerë që mund t’i kenë udhëzuar dy të arrestuarat për të kryer atë veprim. Po ashtu, një ndihmë të madhe e hetimit në lidhje me veprimin e infermiereve do ta japin edhe familjarët e viktimës, në lidhje me momentin kur janë lajmëruar dhe si janë lajmëruar nga ana e personave përgjegjës për sigurinë në atë azil.
78-vjeçari i vënë në pranga si autori i krimit të rëndë ka ndryshuar disa herë version, ndërsa policia dhe prokuroria nuk kanë mundur të dokumentojnë një dëshmi fikse mbi shkaqet që e çuan të ndërmerrte atë veprim, duke masakruar me bastunin e hekurit shokun me të cilin ndante dhomën, por që edhe pasi e ka vrarë, ai iu ka thënë shokëve të tjerë që t’i thuhet atij djalit të mos vijë më në dhomën e tij.
Ngjarja e rëndë duket se do të hapë një shteg të gjerë hetimesh jo vetëm për këtë vrasje, por edhe për mënyrat se si trajtohen dhe përkujdesja që kanë ky grup shoqëror nëpër azile, ku paguajnë jo pak fëmijët e tyre që ata të kenë kujdesin e personave kompetentë.
DËSHMIA E TË ARRESTUARAVE
Grupi hetimor që po merret me hedhjen dritë mbi gjithçka ka ndodhur në azilin e të moshuarve në Tiranë ka bërë me dije dje detaje që lidhen me dëshminë e dy infermiereve të azilit të të moshuarve, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi. Ato u arrestuan nën akuzën se tentuan të fshihnin vrasjen e 82-vjeçarit Virxhil Vesho nga shoku i tij i dhomës, historiani Zyhdi Shehu.
Ato janë shprehur se nuk menduan se kishin të bënin me një vrasje, por që 82-vjeçarit ishte rrëzuar nga mosha e thyer dhe kishte humbur jetën. Dy infermieret e turnit janë shprehur se kanë telefonuar agjencinë funerale dhe kur agjencia ka marrë trupin, e ka rikthyer sërish në azil pasi kanë vënë re se ka pasur dëmtime të shumta në trup.
“Në fillim nuk e menduam se kishim të bënim me vrasje dhe nuk e menduam dhe e dinim që duhet të lajmëronim policinë. Pasi e pamë, menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë. Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental, menduam që i ka ardhur vdekja. Në fillim kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin. Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se viktima kishte dëmtime të shumta. Më pas agjencia funerale ka lajmëruar pronarin e azilit dhe ky i fundit njoftoi policinë. Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen”, thanë infermieret.
Sipas policisë që iu ka referua autopsisë së viktimës, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes, ku 78-vjeçari ka goditur shokun e dhomës me bastun hekuri duke i marrë jetën. Policia ka ngritur akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj dy infermiereve.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se: në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit. Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëratjetrën kanë konsumuar veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301/ 25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur, si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, – saktësoi policia dje.