Vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi ka tronditur opinionin publik pasi ngjarja e rëndë ndodhi në nisje të sezonit turistik në Dhërmi.
Por përveç të përfshirëve në vrasje, ditën e sotme është ndaluar edhe shoferi i ambulancës që ka transportuar trupin e pajetë të 31-vjeçarit drejt morgut.
Shtetasi me iniciale A.I, 62-vjeç është ndaluar nga policia pasi k filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Pas ndalimit të 62-vjeçarit është bërë këqyrja e aparatit të tij celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit Eraldo Nevruzi, të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit Eraldo Nevruzi, grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit Eraldo Nevruzi, i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi Gerald Shehu, kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit Eraldo Nevruzi, të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin. Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.