Një konflikt mes disa të rinjve ka përfunduar në vrasjen e një 19- vjeçari dhe plagosjen e një 20- vjeçari i cili ka ndërhyrë për të shuar konfliktin, por është dëmtuar dhe ndodhet në spitalin Rajonal të Fierit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:30 të ditës së sotme në qendër të qytetit, ku pas një sherri për motive të dobëta tre të rinj janë përfshirë në një konflikt i cili ka përfunduar në përleshje fizike deri në përdorimin e mjetit prerës.
Autori, i identifikuar si Florjan Muka ka qëlluar me thikë 19- vjeçarin Grei Bihuci dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte, duke marrë dhe ai plagë të rënda.
Mësohet gjithashtu se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kururgjisë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë autori 18-vjeçar Florjan Muka, ka rënë në prangat e policisë. Mësohet se sherri ka nisur për shkak te ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohe mësohet se 19-vjeçari i cili ka ndërruar jetë, punonte si kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.
Sipas dëshmitarëve konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica, dhe djali në përpjekje për të shpëtuar ka ecur disa metra i plagosur, derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plote te dinamikes se kësaj ngjarjeje.